Vendimi i Supremes për Mitrovicën ndez reagimin e Pecit: “Ky vendim ka implikime të mëdha”

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci ka reaguar pas  vendimit të Gjykatës Supreme e cila refuzoi kërkesën e PDK-së për rivotim në këtë komunë.

Ai ka thënë se sot ka fituar ideja se ndryshimi është i mundur.

Peci duke falënderuar qytetarët e kësaj komune për besimin e dhënë ka thënë  se tani fillon puna për qytetin e Mitrovicës.

“Sot nuk fiton një individ, por fiton qyteti ynë. Fiton ideja se ndryshimi është i mundur kur qytetarët bashkohen për një qëllim të përbashkët. Tani fillon puna e vërtetë puna për qytetin tonë. Besimin e kam marrë si njeri i punës, dhe kjo është ajo që i duhet më shumë Mitrovicës. Mitrovica është qytet i veçantë, me rol të veçantë në historinë tonë kombëtare, në zhvillimin ekonomik, në kulturën dhe sportin e Kosovës. Do të jem kryetar i të gjithëve, pa dallim”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Dyshimet ishin ngritur pasi në disa fletëvotime nuk kishte përputhje të numrave serik.

Për këtë KQZ kishte thënë se është bërë gabim gjatë printimit, të cilën e kishte pohuar edhe kompania që kishte printuar fletëvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale i mbajtur më 9 nëntor.