Zemra e madhe fiton gjithmonë, edhe kur nuk ju kanë dashur keni qenë falënderues – Ekonomia Online

Zemra e madhe fiton gjithmonë, edhe kur nuk ju kanë dashur keni qenë falënderues

Babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka, ka shkruar një letër emocionale për të dhe djalin tjetër, Taulantin.

Ky shkrim i tij vjen pas fishkëllimave ndaj Xhakës në “Fadil Vokrri” në ndeshjen Kosovë-Zvicër.

“Lideri dhe kapiteni im, Granit. Çdo hap që kam hedhur nga Kosova deri në Zvicër, çdo vendim që kam marrë, e kam bërë duke menduar për ty dhe për Taulantin”, ka shkruar Xhaka në Facebook.

“Pse? Sepse desha që ju të rriteni të drejtë, të ndershëm, të fortë dhe të paepur. Desha t’ju mësoj të përballeni me çdo sfidë dhe çdo sakrificë, dhe ju e keni bërë këtë me nder e me karakter. Jam krenar, biri im”.

Xhaka tha që edhe kur nuk kanë pranuar dashuri, djemtë e tij  kanë qenë falënderues, dhe në fund kanë përfunduar të dashur sepse “zemra e madhe fiton gjithmonë”.

“Desha që ta donit veten, familjen dhe atdheun e të parëve tanë dhe ju e bëni këtë çdo ditë”.

“Ju mësova si luftohet e si qëndrohet përballë më të këqijve, dhe sa herë ua solli jeta beteja të vështira, ju u ngritët më të fortë”.

“Sa herë që dikush nuk ju ka dashtë, ju keni falenderuar. Dhe në fund, ju prapë ju kanë dashtë sepse zemra e madhe fiton gjithmonë”.

“Për gjithçka që jeni dhe gjithçka që keni bërë, unë jam krenar pa masë me ju. Ju jeni dhe do të mbeteni dy zemrat e krenarisë sime”.