“Eurodeputetja flet hapur: Shqipëria po jep shpresë për BE – Kosova ngec mes pengesave!”

Eurodeputetja sllovene Irena Joveva deklaroi se për Kosovën ka gjithmonë pengesa kur vjen puna tek progresi për integrim.

Ajo tha se dialogu mbetet një nga çështjet kyçe duke kërkuar nga liderët e dy vendeve të zbatojnë marrëveshjet e arritura.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është, qartësisht, një nga çështjet kyçe që duhet zgjidhur. Kjo vlen për të dyja palët. Pra, si Kosova, ashtu edhe Serbia. E dimë që Serbia nuk ka bërë asnjë përparim, jo vetëm sa i përket dialogut, por edhe në shumë fusha të tjera. Situata në Serbi është vërtetë shumë e keqe dhe në përkeqësim. Ndërsa sa i përket Kosovës, ka gjithmonë pengesa”, tha eurodeputetja Irena Joveva.

Joveva, pjesë e Grupit Ripërtëritja e Europës në Parlamentin Europian, tha se përkundër problemeve mes dy vendeve tashmë historia ka dëshmuar që të gjitha çështjet mund të zgjidhen.

Në lidhje me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane, Joveva tha se Shqipëria mund të jetë “dritë në fund të tunelit” dhe shpresë për të gjitha vendet e tjera kandidate për se zgjerimi është prioritet.

“Situatën në Ballkanin Perëndimor sot e shoh si një moment serioz për të shfrytëzuar vrullin e procesit të zgjerimit, për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe faktit që zgjerimi është, më në fund pas kaq shumë vitesh, shumë, shumë lart në agjendën e Bashkimit Evropian. Dhe unë me të vërtetë u bëj thirrje shteteve të rajonit dhe vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor që ta shfrytëzojnë këtë moment dhe të jenë sa më konstruktivë, sepse besoj fort, veçanërisht për Malin e Zi dhe Shqipërinë, se ato janë një lloj ‘drite në fund të tunelit’ edhe për vendet e tjera kandidate”, deklaroi eurodeputetja.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2023 por kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar, kryesisht për shkak të kundërshtimit të vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën.