Brenda pak ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet ta dërgojë në Qeverinë e Kosovës kërkesën buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Se sa do të jetë shuma e planfikuara nga KQZ, në këtë institucion nuk kanë treguar me arsyetimin se është duke u përgatitur, por nëse vlera do të jetë e përafërt me zgjedhjet e llojit të njëjtë, parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, atëherë kostoja e të gjitha proceseve zgjedhore të mbajtura vetëm gjatë vitit 2025 mund të arrijë në rreth 28 milionë euro.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, i cili foli për EO, në zgjedhjet e 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërkaq për zgjedhjet lokale 10.5 milionë të tjera.
Duke folur për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Elezi tha se KQZ është në proces të përgatitjes së planifkimit buxhetor dhe se kërkesën do ta dërgojnë për miratim në Qeverinë e Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Në mbledhjen e radhës, KQZ do të miratojë planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur pa planifikim, në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi.
Sipas arsyetimeve të KQZ-së, Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së në organizimin e procesit zgjedhor dhe kjo reflektohet edhe në koston e planifikuar.
Po ashtu, sipas KQZ-së pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për të paguar trupat zgjedhore dhe stafin tjetër që angazhohet gjatë gjithë procesit zgjedhor.



Të tjera
Pirja e duhanit shkakton dhimbjen e shpinës
Si të ndaloni së ngrëni thonjtë
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës