Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës po vlerësohet si njëra nga më të pasuksesshmet dhe më të dëmshmet në historinë e vendit. Përkundër faktit se deputetët nuk arritën të kryenin as detyrat më bazike kushtetuese, ata i morën pagat vazhdimisht nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave të siguruara nga KosovaPress, vetëm për këtë legjislaturë, përgjatë shtatë muajve të vitit 2025, rreth dy milionë euro janë shpenzuar për pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre. Nga këto, 1 milion e 371 mijë euro i kanë shkuar deputetëve, ndërsa 571 mijë euro janë paguar për asistentët e tyre.
Legjislatura e nëntë u shpërnda të enjten nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi përgjatë tetë muajve nuk u funksionalizua puna e Kuvendit, si dhe dështoi dy herë të zgjidhej qeveria e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Nga Kuvendi i Kosovës i thanë KosovaPress, se nga muaji prill, kur edhe është thirrur seanca konstituive dhe deri në tetor, 1 milion e 371 mijë euro janë ndarë për pagat e deputetëve. Ndërkaq, mbi 571 mijë euro janë ndarë për pagat e stafit mbështetës politik apo asistentëve të tyre. Meqenëse Kuvendi u shpërnda gjatë muajit tetor, deputetëve dhe asistentëve të tyre do t’u paguhet edhe ky muaj. Po ashtu, të zgjedhurit e popullit kanë të drejtë të marrin pagë kalimtare pas shpërndarjes së Kuvendit.
Ai thotë se dështimi për t’u funksionalizuar Kuvendi dhe për t’u formuar qeveria e re, mund të ketë dëme të pariparueshme në vitin 2026, pasi nuk u miratua buxheti fiskal dhe disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë milionëshe.
Jakaj thotë se përgjegjësia për dështimin e funksionalizimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i takon partive politike, dikujt më shumë e dikujt më pak. Mirëpo, ai shton se qytetarët duhet t’i ndëshkojnë partitë politike të cilat kanë pasur përgjegjësinë më të madhe në raport me Kuvendin dhe formimin e qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit. E njëjta ka pasur të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe mandatarin për kryeministër.
Përveç pasojave në rrafshin e jashtëm, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë bërë një punë të hajrit në mënyrë që qytetarët e Kosovës t’ua dinë për të mirë… Përkundër që në xhirollogaritë e tyre kanë dalë pagat e majme”, theksoi Jakaj.
LVV-ja tentoi dy herë të formojë qeverinë e re, me mandatar fillimisht liderin partiak Albin Kurti dhe më pas nënkryetarin e saj Glauk Konjufca, mirëpo të njëjtit morën vetëm 56 vota të deputetëve në Kuvend nga 61 të nevojshme.
Pas dështimit të dytë, presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e legjislaturës së nëntë dhe më pas caktoi datën 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme.



Të tjera
Pirja e duhanit shkakton dhimbjen e shpinës
Si të ndaloni së ngrëni thonjtë
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës