Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ka folur për herë të parë publikisht pas daljes nga burgu i Serbisë, përcjell KosovaPost.
Policia e Serbisë kishte arrestuar Arbnor Spahiun më 7 qershor 2025 dhe nga 9 qershori ishte mbajtur në paraburgim në Suboticë me arsyetimin e gjykatës serbe për kinse kryerjen e veprës së rëndë penale ‘vrasje’ në Banjska të Kosovës.
Në një postim në Facebook, ish-pjesëtari i policisë së Kosovës ka thënë sot se arrestimi i tij ka qenë i padrejtë dhe me akuza të pabaza dhe se tash ai është “më i fortë se kurrë.”
“Faleminderit nga zemra familjes sime, shoqërisë, bashkëfshatarëve, ish-kolegeve të mi të Policisë së Kosovës , institucioneve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, për mbështetjen morale e emocionale, për vizitat dhe fjalët e mira që i dhanë forcë familjes sime. Faleminderit gjithashtu për çdo ndihmë financiare nga të gjithë ata që kanë kontribuar, e cila ka qenë shumë e vlefshme dhe e çmuar gjatë këtyre muajve të vështirë.”
“Gjithashtu, një falënderim i veçantë për çdo njeri dhe çdo media që ka kontribuar, mbështetur, folur apo ndihmuar në forma të ndryshme, mirënjohja ime për ju është e pafund. Gëzimin që po shoh në sytë e njerëzve, dashurinë dhe lumturinë për lirimin tim, nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Policia e Kosovës kishte konfirmuar se Arbnor Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë. Ministria e Jashtme e Kosovës sot pas lirimit të Spahiut, tha se akuzat e ngritura nga Serbia ndaj Spahiut kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova.



Të tjera
A e dini çfarë i ndodh trupit kur qëndroni ulur gjatë?
Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan
Qeveria mbështet Sharrin me gati 1 milion euro për qendrën e re kulturore