Roli i diasporës pritet vendimtar në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kosova po përballet me një krizë politike që ka zgjatur disa muaj, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor 2025. Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti doli forca më e madhe politike, por nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 votash në Kuvend.

Përpjekjet për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dështuan, për shkak të refuzimit të partive opozitare.

Pas disa raundeve të dështuara për votim dhe pa shenja të kompromisit politik, Presidentja Vjosa Osmani shpalli shpërndarjen e Kuvendit dhe vendosi datën e zgjedhjeve të parakohshme për 28 dhjetor. Ky vendim vjen si një përpjekje për të shmangur vakumin institucional dhe për të dhënë mundësinë qytetarëve që të përcaktojnë drejtimin politik të vendit.

Opinionisti Albert Ramadani ka analizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, duke prezantuar skenarë të mundshëm për zhvillimin politik të Kosovës.

Image

Opinionisti Albert Ramadani

“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe pritshmërisë sime për këto zgjedhje, janë dy variante. E para, partia LVV pret dhe angazhohet të rritë përqindjen e votës duke pretenduar të ngrihet më lart, me pretendim që të rrisë numrin aktual të deputetëve nga 48 në 55 ose 58 deputetë, që kjo mandej të qeverisë e vetme në pjesë të vogla për pakicat jo-serbe, siç ka qeverisur në mandatin e fundit”, ka thënë ai.Varianti i dytë, sipas tij, është se nëse LVV nuk arrin të sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve për të qeverisur e vetme, ajo mund të përpiqet të formojë koalicion me parti të tjera shqiptare dhe pakicat jo-serbe.

“Nëse LVV nuk arrin të krijojë numrat vetë, siç e cekëm më lart me partitë e komuniteteve pakicë dhe komunitetet jo-serbe, LVV, pa dyshim, del prapë e para dhe fituese, por nëse nuk i ka numrat për krijimin e qeverisë dhe del ndoshta më ulët se sa ka qenë në këtë mandat, ajo e sheh situatën dhe do të përpiqet të krijojë koalicion me ndonjë parti tjetër shqiptare dhe pakicat jo-serbe. Por nëse shkohet me variantin e koalicioneve, dhe LVV-ja bindet pas datës 28 dhjetor se nuk ka fituar prapë për të qeverisur si e vetme, atëherë mundësia e një koalicioni do të jetë e pashmangshme, dhe këtu menjëherë, me gjasë, do të krijohet një koalicion i madh mes dy partive, LVV dhe PDK-së. Arsyetimi i LVV-së që po hyn në koalicion me PDK-në do të jetë “kinse” ndryshimi tek timoni i PDK-së, tani që kemi një lider të ri në partinë e PDK-së, Bedri Hamza, dhe ky do të jetë arsyetimi nëse LVV nuk arrin të bëjë vetë numrat. Koalicioni do të ketë, ta them ndarjen e posteve, ku mund të merren vesh për ndarjen e pozitave. Ka shumë gjasa që kryeministër i ri të jetë z. Bedri Hamza, e postin e presidentit ta marrë LVV-ja, që president i ri të jetë Albin Kurti, me një marrëveshje mes LVV-së, PDK-së dhe partive të vogla, ku pastaj edhe ligji për presidentin të vije në Kuvend dhe të krijohen kushtet që zgjedhjet e ardhshme presidenti të zgjedhet në mënyrë të drejtëpërdrejt dhe kompetencat dhe fuqizimi i postit të presidentit të jenë më atraktiv, ku posti i kryeministrit nuk do të ketë më rol ekzekutiv, por të jetë krejt formal”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Ramadani ka parashikuar se pjesëmarrja në zgjedhje mund të jetë më e ulët për shkak të lodhjes së qytetarëve nga zgjedhjet e shpeshta.

“Sa i përket pritshmërive për pjesëmarrjen më të lartë apo më të ulët në votime, mendimi im është që numri do të jetë më i vogël në dalje, por përqindja, në raport me zgjedhjet lokale dhe qendrore, ndryshon si hartë. Qytetarët disi janë lodhur, duke i ngarkuar zgjedhje pas zgjedhjeje, disa me rregulla siç ishin zgjedhjet lokale dhe disa të pa rregullta e pa nevojë, këto qendrore, duke kryer obligimin më 9 shkurt, dhe prapë pas 9 apo 10 muajsh të jemi në vendnumërim.

Vota vendimtare do të jetë për përqindjen e votave, dhe duke aluduar LVV-në, te votat kyçe të diasporës. Mendoj që dallimi nga votat e diasporës bëhet, sepse diaspora voton ndoshta më kompakt, ndërsa votuesit këtu mund të hezitojnë dhe nuk dalin. Numri i votuesve brenda vendit, votat që do të vinë nga jashtë—në këtë rast diaspora jonë—në formën e votimit me postë, ku shumë vota po refuzohen nga KQZ-ja, që nuk plotësojnë kushtet dhe procedurat e kërkuara nga KQZ-ja, dhe shumë plico me vota shpallen të pavlefshme. Këtu LVV-ja do të aktivizohet që të sjellë sa më shumë votues kyç e potencial në mënyrë fizike për të votuar dhe festuar fitoren nën vigjiljen e fitores së partisë LVV-së. Nëse diaspora vjen dhe voton në numër më të madh për LVV-në, në mënyrë fizike pranë kutive, qytetarët që janë këtu dhe konsiderohen si votues brenda Kosovës, veçanërisht ata që nuk i përkasin LVV-së dhe janë neutralë apo i përkasin partive të tjera shqiptare, mund të hezitojnë të dalin, dhe LVV-ja, në një mënyrë, mund të dalë më solide.

LVV-ja ka dy opsione në këto zgjedhje: opsioni i parë do të mundohet të dalë prapë e para, por me mbi 57 deputetë, dhe opsioni i dytë, nëse del siç ka dalë në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të krijojë koalicion me PDK-në. Shto këtu si qëllim në marrëveshje që Albin Kurti të jetë president, edhe pse në zgjedhje çdo lider partie pretendon të bëhet kryeministër. Në Kosovë, gara në fushatat për kryeministër bëhet vetëm për të krijuar opinionin e votuesve, sepse posti i kryeministrit dhe i presidentit krijohen në Kuvend (kuvendi dhe deputetët e bëjnë kryeministrin dhe presidentin, e jo qytetari apo votuesi), gjithmonë bazuar që vendi ynë ka një kushtetutë parlamentare e jo gjysmë-presidenciale apo presidenciale”, ka përfunduar Ramadani.