Nga Besnik Jaha, profesor Universiatar
Po e nis këtë shkrim-reagim ndaj një postimi që bëri së fundmi profesor Blerim Latifi në llogarinë e tij në facebook:
Blerim Latifi në llogarinë e tij në facebook:
I nderuar profesor Blerim Latifi,
Me gjithë respektin që kam për ju, dua ta nis këtë reagim me një shpresë të sinqertë: që ky debat të mbetet pikërisht aty ku i takon, në rrafshin profesional, historik dhe akademik. Në planin personal nuk kam asnjë fije polemike me ju – përkundrazi, ruaj respekt për ju. Mirëpo, pikërisht sepse e vlerësoj mendimin kritik, e ndiej domosdoshmërinë të kundërshtoj disa nga tezat e postimit tuaj, të cilat, sipas mendimit tim, prodhojnë një pasqyrë të cunguar të historisë së shkrimit shqip (e, sidomos të letërsisë), dhe bien ndesh me frymën e unitetit që kanë ndërtuar rilindësit tanë.
Pra, statusi juaj është një rikthim i vjetruar te narracioni romantiko-klerikal i historiografisë së viteve ’60–’80, që e ka ndërtuar kombin shqiptar duke e ndarë në “fisnikët që shkruan” dhe “të tjerët që rrinë në hije”; “ala turkët” dhe “ala frëngët”… Ky është një diskurs që sot s’pi më ujë, as ideologjikisht, as shkencërisht. Dhe, është e çuditshme që një profesor si ju (njohës i jashtëzakonshëm i historisë së filozofisë), në shekullin XXI, ende ushqehet akoma me këtë model linear, sikur jeta kulturore shqiptare të ketë qenë monopol i një pale; sikur jeta kulturore shqiptare të kishte qenë kanali i vetëm i një feje, dhe të gjithë të tjerët të mbeteshin jashtë orbite, gati si hije; sikur përbërja jonë kombëtare, kjo simfoni e shumëbesimësisë, mos t’ishte siç është; sikur letërsia shqiptare, me gjithë peshën e saj prej shekujsh, të ishte e lexueshme vetëm nga një kënd i vetëm, duke harruar horizontin e plotë; sikur kultura kombëtare të ishte përbërë kaq formalisht…
Dhe, më lejoni, profesor, të shtoj edhe këtë: ndonjëherë, kur i lexojmë këto lista, ku madhëria kulturore shqiptare paraqitet si pronë ekskluzive e njërit krah, siç bëni ju, çuditërisht, më ngjan aspak profesionale, tepër e varfër, e, ndoshta edhe tendencioze e në shërbim të një ideologjie aspak në dobi të kombit. Ja, në vazhdim po mundohem ta zbërthej më hollësisht:
– Ju kulturën kombëtare e gjykoni njëanshëm, sikur veprat, shkollat, alfabetet, përkthimet, abetaret, fjalorët, poezitë dhe traktatet e rilindësve të tjerë mos të kishin ekzistuar kurrë;
– Ju flisni sikur kultura kombëtare të ishte ndërtuar aq formalisht, aq thjesht, aq në mënyrë lineare, me një vijë të drejtë nëpër shekuj, ndërkohë që realiteti ynë historik ka qenë një mozaik shumëngjyrësh, i përzier, i gjallë, ku secila fe dhe secili grup ka vënë nga një gur në murin e madh të kombit.
– Ju gjykoni sikur hoxhallarët shqiptarë mos të kishin shkruar asgjë që nga viti 1389 deri në shekullin e XVIII-XIX, edhe pse, pikërisht besimi islam, urdhëron leximin (studimin, shkollimin) si imperativ kuranor i zbritur apriori;
– Ju mbani një pozicion sikur medresetë mos të kishin prodhuar qindra njerëz të dijes, që ishin po aq shqiptarë sa priftërinjtë e kolegjeve sipas akëcilëve urdhra katolikë (françeskanë, jezuitë, dominikanë…), ndërsa nuk konsultoni fare referencat nga burime relevante (ja vetëm disa: Is’hak Çelebiu (vd. 1536), Sihrî-u, Valîhî (vd. 1599), Vusûlî (vd. 1592), dhe Zârî, të lindur në Shkup; Bahârî (v. 1551), Mumin-i, Nehârî (vd. 1523), Sûzî-u (v. 1525), Shemi-u (v. 1530), Ashik Çelebi-u (vd. 1572) dhe Texhelli (vd. 1688) nga Prizreni; Mesihi Prishtinaliu (vd. 1512), Behari Prishtinaliu (vd. 1531), pastaj vëllezërit Azmi, Levhi-u dhe Nuhi-u, që krijuan në shek. XVI, pastaj Hatifi dhe Mustafa Çelebiu (vd. 1565) nga Prishtina; Suxhudi-u, Fakiri, Tului-u (1520-1572); Muidi-u (vd. 1585), Sersem Ali Dede (shek. XVI) nga Tetova; Arshi-u (vd. 1570), Hulusi-u, Nimeli-u (vd. 1603), Vali-u (vd. 1598) dhe Vahdeti-u nga Jeni Pazari; Bahari-u, Xhevani-u, Nazif-i, Rumuzi-u dhe Salahi-u nga Tërhalla; Jahja Bej Dukagjini (i njohur tashmë edhe në studimet shqipe të vona); Vexhhi-u (vd. 1670) nga Dibra; Sabri Kruja (vd. 1607) nga Kruja; si dhe poetët Ayani-u, Xhelal Beu, Firdevsi (vd. 1564), Hafiz, Haveri (vd. 1565), Katibi-u, Keşfi-u, Mehmedi, Merdi-u, Sabaji-u, Sami-u, Sezaji-u, Sinani, Vahji-u (vd. 1546), Vezni-u (vd. 1578) dhe Zuhuri-u, të lindur në Manastir; Nihani Arnauti (vd. 1519), Ahmet Bej Dukagjini (vd. 1557), Lutfi Pashë Shkodra (vd. 1563), Lali Berati (shek. XVI), Dervish Osman Elbasani (vd. 1640), si dhe shumë të tjerë); (më falni se ju lodha, po lista shkon shumë-shumë gjatë, ndërsa në disertacionin tim, sapo të botohet, mund t’i gjeni qindra emra).
– Pastaj, ju flisni sikur Muhamed Çami mos ta kishte shkruar veprën e parë shqipe me personazh femër (fiktiv) – Erveheja;
– Sikur Nezim Berati mos të kishte shkruar librin e parë me poezi në shqip, Divani-n – 1735-1736, rreth 27 vjet para Jul Varibobës – 1762 – Gjella e Shën Mërisë Virgjër.
– Sikur Ibrahim Shahidi Dede (nga Mugla, i cili në vitin 1514 kishte përpiluar një fjalor me mijëra fjalë, të titulluar “Tyhfei Shahidi” – “Dhurata e Shahidit”, rrafsh 121 vjet para Frang Bardhit (1635), mos të kishte ekzistuar fare;
– Sikur Hasan Tahsini mos të kishte hartuar alfabet;
– Sikur Daut Boriçi mos të kishte hapur shkolla shqipe, sikur Hasan Prishtina mos të kishte shkrirë gjithë ç’pati për arsimin shqip;
– Sikur Said Najdeni e Hafiz Ali Korça mos të kishin shkruar abetare dhe tekste shqipe;
– Sikur Rexhep Voka mos të kishte punuar për arsim shqip, e Vehbi Dibra – Agolli mos të kishte qenë fare faktor kyç në pavarësinë e Shqipërisë;
– Sikur…; sikur…; sikur…
Profesor, mos të harrojmë se romantikët tanë kombëtarë nuk kanë bërë kurrë përçarje konfesionale, siç nxitni ju dhe e ashtuquajtura Lëvizja e Deçanit, si lëvizja më antikombëtare që nga Rilindja Kombëtare e gjer më sot! Fryma romantike nuk ka qenë as rreshtimi i shqiptarëve sipas kishave e xhamive, as ndërtimi i hierarkive kulturore me parimin “katolikët bënë gjithçka, të tjerët asgjë”. Përkundrazi, ai brez – Naimi, Samiu, Çajupi, Fishta, Mjeda, Konica – jetonte me një ideal: kombi shqiptar është mbi çdo ndarje. E, po ky ideal i tyre sot po sulmohet e luftohet. E, edhe ju sot po bëni të kundërtën: po e “konfesionalizoni” historinë e shkrimit shqip, që është krejt kundër frymës së rilindësve e vlerave kombëtare.
Romantikët tanë mund të të kishin thënë një gjë fare të thjeshtë: Nëse e sheh kombin me sy kishtar, nuk ke kuptuar asgjë nga ringjallja kombëtare. Sepse, ideali romantik qe: “për atdheun të gjithë japim gjithçka”.
Gjithashtu, narracioni që përsëritni ju është i vjetër dhe i përgënjeshtruar tashmë (hulumtoni më thellë, sepse ju takon si kuadër akademik!). Narrativa në të cilën mbështeteni ju i merr faktet nga historiografia zyrtare, e cila, për dekada të tëra, për arsye ideologjike, i ka ngritur në kult disa figura (kryesisht katolike) – jo se nuk meritojnë vlerësim, por sepse u anashkalua sistematikisht kontributi i dijetarëve myslimanë, bejtexhinjve, hoxhallarëve rilindës, medreseve dhe letërsisë së tyre. Herë e parë, pas shumë vitesh, që po më bie ta shoh dikë duke u mburrur me këtë narracion, i cili vetëm se është shembur, sepse është e pamundur të mbulohen me pluhur arkivat. Gjysma e historisë së shkrimit shqip ka qenë fshehur. Jo se mungonte, por “nuk duhej të dukej”.
Po, profesor, katolikët kanë kontribuuar jashtëzakonisht. Mirëpo, jo vetëm ata. Kjo është e vërtetë, e njohur, dhe askush s’mund ta hedhë poshtë. Ndërsa ju, i nderuar profesor Latifi, po bëni një propagandë, dhe një të vërtetë po pretendoni ta ktheni në monopol. Dhe, kur një e vërtetë kthehet në monopol, ju e dini, bëhet propagandë. Unë nuk besoj se ju nuk e dini se në të njëjtën kohë dijetarët myslimanë, historia jonë “zyrtare”, i ka lënë jashtë, madje qëllimshëm.
Disa nga shembujt e mësipërm e të qartë, me vepra konkrete – jo mite, besoj se ju mjaftojnë. Pra, ju e dini mirë se historiografia jonë ka filtruar sipas fesë. Ju, sigurisht, e dini po ashtu se historiografia jonë është “kastruar” sipas bindjeve ideologjike e konfesionale, dhe nuk keni reaguar për këtë. Ja një shembull për reagim: në Ministrinë e Kulturës, në Prishtinë, korridoret i ke të monopolizuara me figura kombëtare katolike (prapë po e them, jo se nuk e meritojnë), ndërsa mungojnë qoftë edhe figurat që i lindi Prishtina, sikurse, për shembull: Mesihi Prishtinaliu, Behari Prishtinaliu, Ashik Çelebiu (që për një kohë jetoi në Prishtinë e punoi si gjykatës), apo edhe të vonshmit, Hoxhë Kadri Prishtina etj.
Po, pse po ndodh kjo?
Sepse për dekada të tëra u krijua një “panteon zyrtar” i dijetarëve të pranueshëm e të “pagabueshëm”. Dhe kështu, dijetarët myslimanë, sidomos ata me rol publik, u lanë jashtë sepse nuk i përshtateshin kriterit të ri: kombëtarist + laik + i përdorshëm politikisht. Dhe, edhe ju, profesor, jeni viktimë.
Pra, kjo është arsyeja pse postimi i juaj është thjesht përmbledhje e një narracioni të vjetër, ndoshta edhe një bindje e gabuar, dhe jo produkt i një kërkimi serioz shkencor-akademik. Thënë troç, ka plot dëshmi, shkrime e fotografi, dorëshkrime e raporte në arkiva, që dëshmojnë se jeni të njëanshëm dhe, nuk dua ta besoj, por reflekton, edhe qëllimkeq. Pra, ka plot fotografi ku shihen hoxhallarë, dijetarë, hafizë – njerëz të shkolluar, të organizuar, të ndriçuar – pjesë e një tradite intelektuale që ka ekzistuar paralel me vëllezërit tanë nga gjaku-katolikët. Dhe, ata ishin njerëz që merreshin me arsim, administratë, gjuhë, medrese, librari, shkolla private, botime, dhe nuk ishin “gjeth në erë”, siç shpesh i ka vizatuar historiografia shqipe. Siç po kjo historiografi dhe “argatët e saj” po e prishin frymën romantike të kombit, kaq të nevojshme në këtë kohë për shqiptarët.
Romantikët tanë, sidomos ata të fundit të shek. XIX, ishin një kor polifonik. Jo si ne sot.
Atëbotë myslimanët, katolikët, ortodoksët, ateistët, me një fjalë të gjithë, bejlerë, poetë, klerikë, arsimtarë, dervishë, myderrizë, të gjithë punuan që shqipja të bëhej gjuhë kombi, dhe kombi të bëhej i fortë e një. Prandaj, qëndrimi juaj, profesor Latifi, bie ndesh me frymën romantike që ndërtoi kombin shqiptar. Pra, qëndrimi juaj është antikombëtar.
Mos të harrojmë se romantikët tanë nuk bënë kurrë hierarki fetare në historinë e kulturës kombëtare. Ky është konstrukt i historiografisë ideologjike, e që sot po rrëshqet dita ditës, sepse faktet janë më të forta se narrativat propagandë.
Po ashtu, mos harroni se myslimanët shqiptarë gjithmonë i çmuan priftërinjtë katolikë për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë – askush nuk e mohon. Mirëpo, historia që ju citoni është vetëm gjysma e së vërtetës, e gjysma tjetër është lënë jashtë për arsye që s’kanë lidhje me shkencën. Dhe ju, si një profesor universitar, nuk duhet t’u shërbeni narracioneve të gabuara e ideologjive kundërkombëtare, si kjo që reflekton nga postimi juaj.
Myslimanët kanë qenë pjesë e pandashme e kulturës shqiptare, e sidomos e rilindjes sonë, por historiografia që citoni ju i ka lënë në hije, sepse nuk i përshtateshin modelit të ndërtuar ideologjikisht. Kombi shqiptar është vepër e të gjithëve. Kush zgjedh ta shohë vetëm nga një dritare, e humb pamjen e plotë e të bukur që ka shqiptaria.
Po e mbyll këtë reagim me dëshirën që t’i rikthehemi qetësisë së dijes, dhe jo zhurmës së narracioneve të trashëguara ideologjike. Me respekt dhe shpresë për mirëkuptim.
Besnik Jaha!



Të tjera
8 mënyrat natyrale që parandalojnë rrudhat dhe plakjen e fytyrës
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Ja çfarë sëmundje keni nëse ju del gjumi natën