Portali me seli në Prishtinë, KosovaNews, vetëm një ditë pas regjistrimit të shoqërisë tregtare me pronësi serbe “Arena News Channels Two Albania” sh.p.k., publikoi një artikull të gjerë.
Në këtë artikull trajtohej kjo shoqëri tregtare formalisht shqiptare, me seli të regjistruar në Rrugën “Dervish Shaba”, diku në lagjen periferike të Tiranës “Mjull-Bathore”. Në të, thellohej analiza mbi lidhjet pronësore të kësaj kompanie dhe profilin e administratorëve të saj.

Pronësi direkte në këtë shoqëri të regjistruar në Shqipëri, me aktivitet në fushën e mediave – “Arena News Channels Two Albania” sh.p.k. – ka operatori shtetëror serb i komunikimeve elektronike dhe medial, “Telekom Srbija” AD.
Lidhjet me regjimin e Millosheviçit dhe botën e krimit serb
Profili i administratorëve, përvoja e tyre menaxheriale, si i të emëruarit në degën shqiptare, ashtu edhe të atij drejtues të kompanisë mëmë në Serbi, rezulton të jetë ngushtë i lidhur me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviçit, me mediat e asaj kohe dhe me individë të botës së krimit serb të kthyer më pas në biznesmenë që kanë përvetësuar pasuri në të gjithë Ballkanin – si rasti i Predrag Rankoviç, i njohur si “Peconi”.
Artikulli gjithashtu ofronte një profil të administratorit të “Telekom Srbija” dhe qëndrimeve të tij të hapura antishqiptare të shprehura publikisht.
“Telekom Srbija” si instrument politik i Vuçiqit
Dy vegëzat (kjo dhe kjo) e përfshira në artikull japin një panoramë edhe më të qartë, duke hedhur dritë veçanërisht për publikun shqiptar mbi atë çfarë përfaqëson “Telekom Srbija”: një operator që kërkon zgjerim rajonal apo një instrument i Vuçiqit për shtrirjen e konceptit të “Botës Serbe” në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kulmin e kësaj qasjeje e ilustron një investigim i gazetës serbe “Krik” (i transmetuar nga occrp.org). Përmes një përgjimi telefonik ndërmjet administratorit të “Telekom Srbija” dhe një drejtori të një shtëpie mediale të sapoblerë, dokumentohen urdhëresat e Vuçiqit për shkarkimin e redaktorëve – urdhëresa që administratori i “Telekom Srbija” i zbaton pa hezitim.
Investime të pashpjegueshme dhe financim politik
“Telekom Srbija” realizon investime që tejkalojnë çdo logjikë biznesi, sidomos në blerjen e të drejtave për transmetimin e përmbajtjeve atraktive (sport, argëtim, evente), blerjen e operatorëve të tjerë në Serbi e më gjerë në rajon – investime që prodhojnë bilance thellësisht negative, të cilat më pas mbulohen nga subvencionet direkte të qeverisë serbe.
Këtij realiteti i shtohen edhe kritikat e vetë opinionit serb, si dhe gjetjet në raportet e Parlamentit Evropian. Përmenden edhe lobimet (ndoshta edhe rryshfetet) e palës serbe ndaj burokratëve evropianë për “zbutjen e raporteve”, si dhe incidentet në Gjermani, ku një kompani serbe e lidhur me Telekomin u kap duke shërbyer si proxy i “Russia Today” në territorin gjerman. Të gjitha këto pritet të hedhin edhe më shumë dritë mbi këtë operator monstër që ka mbërritur tashmë edhe në Tiranë.
Lexo më shumë Shkëlzen Gashi akuzon opozitën: “Po e vështirësoni jetën e qytetarëve, jo të pushtetit”
Kritikat nga brenda Serbisë dhe roli i Parlamentit Evropian
Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, në maj të vitit 2023, profesori universitar dhe ish-zëvendëskryeministri i Serbisë në kohën e reformatorit të vrarë Zoran Xhinxhiç, Zharko Koraç, deklaron: “Çfarë po bën sikur nuk sheh Bilčik?”, duke iu referuar raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë.
Më poshtë po e sjellim të përkthyer një fragment të këtij artikulli: Profesori në pension i Fakultetit të Filozofisë, Zharko Koraç, i tha N1 (N1 një shtëpi mediale, e blerë së fundmi nga “Telekom Srbija”, me çka lidhet dhe skandali i raportuar nga “Krik” ku administratori “Telekom Srbija”i saj kërkonte të pushonte nga puna redaktorët) se raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilčik, “bëhet sikur nuk sheh” se shteti po favorizon Telekomin me qëllim që të shtypë median e lirë. Në emisionin “Novi dan” (ditë e re) të TV N1, Koraç iu referua lobimit të Bilčik në Parlamentin Evropian për të përjashtuar Telekom Srbija nga versioni përfundimtar i raportit mbi Serbinë. Koraç gjithashtu theksoi se kontrolli i plotë i medias është çelësi i pushtetit të Presidentit Alleksandar Vuçiq. “Ai nuk e duron dot faktin që ka dy televizione si “Nova” (tashmë e gllabëruar nga Vuçiqi), dhe praktikisht ka dy ose tre gazeta javore, gazetën Danas… Nuk po bëj një listë të plotë, dhe këto janë gazetat dhe televizionet që ai po përpiqet në thelb t’i mbytë”, tha ai.
Ai shpjegoi gjithashtu se kjo nuk është sjellje demokratike, dhe se për shembull Donald Trump, kur ai ishte president i SHBA-së, New York Times dhe Washington Post e “shqyenin fjalë për fjalë çdo pesë ditë”. “Kontrolli i medias, para së gjithash tabloidëve, si ky spektakël me një njeri që merr një gjobë dhe refuzon ta paguajë atë. Dëgjoni, është qesharake, e kam marrë një ose dy herë, për ngarje pak më të shpejtë, një gjobë dhe çfarë, nuk do ta bëj, kështu që do të shkoj në burg për tre ditë. Pse të shkoj në burg? Është spektakël, por është media e tij (e Vuçiç-it), dhe ai mbron atë gazetar, jo gazetarët që po kërcënohen dhe që janë vërtet në rrezik”, shtoi Koraç.
Kompanitë e liçencuara në Serbi, të afërta me pushtetin, Gjermania dhe çështja e “Russia Today”
Përtej tentativave proteksioniste të Bilčik për Serbinë e Vuçiqit, versioni përfundimtar i raportit të PE-së për Serbinë, ku përfshihen edhe manovrat e “Telekom Srbija”, e në veçanti ky dokument i BE-së mbi implementimin e sanksioneve Evropiane kundër Russia Today dhe Sputnik, flasin qartë për këtë realitet.
Në faqet 19 e 20, në seksionin për Gjermaninë të këtij raporti thuhet: “Në një terren shumë divers, më 16 dhjetor 2021, RT (Russia Today) lançoi “RT DE”, një kanal të ri të drejtpërdrejtë në gjuhën gjermane. Megjithatë, meqenëse transmetuesi nuk kishte një licencë gjermane, Medienanstalt Berlin-Brandenburg (autoriteti shtetëror i medias Berlin-Brandenburg – MABB) hapi procedurat kundër RT DE. Ofruesi i programit argumentoi se ai (Russia Today në Gjermani) operonte sipas një licence të lëshuar në Serbi për të cilën ishte aplikuar dhe miratuar ligjërisht në përputhje me legjislacionin dhe dispozitat e Konventës Evropiane për Televizionin Ndërkufitar. Një përpjekje e mëparshme nga transmetuesi për të marrë një licencë nga Luksemburgu kishte dështuar, sepse programi televiziv konsiderohej subjekt i juridiksionit të Gjermanisë pasi ofruesi i shërbimit mediatik mbante një zyrë të regjistruar në Republikën Federale të Gjermanisë dhe një pjesë të konsiderueshme të personelit të besuar me ofrimin e shërbimit mediatik audiovizual punonin në Berlin.
Më 1 shkurt 2022, Komisioni për Licencim dhe Mbikëqyrje (ZAK) i autoriteteve gjermane të medias ndaloi transmetimin dhe shpërndarjen nga “RT DE Productions GmbH”, me seli në Berlin, të shërbimit të programeve televizive “RT DE” në Gjermani, sepse licenca e nevojshme e ligjit të medias për të nuk ishte dhënë dhe as nuk ishte aplikuar në përputhje me seksionin 52 të Traktatit Shtetëror të Medias. Në këtë rast të veçantë, vendimi u mor pa marrë në konsideratë përmbajtjen e transmetimeve. Transmetimi
dhe shpërndarja e programit televiziv nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në internet, nëpërmjet aplikacionit celular dhe të TV inteligjent “RT News” dhe nëpërmjet satelitit duhet të ndërpritet. ZAK
theksoi se ofruesi i “RT DE” nuk mund të mbështetet në asnjë leje tjetër që është e ligjshme sipas ligjit evropian. Më 1 mars 2022, rregullatori i medias Berlin-Brandenburg MABB39 kërcënoi të vendoste një gjobë prej 25,000 eurosh dhe njoftoi menjëherë se do të vendoste gjobë nëse “RT DE Productions GmbH” nuk do të ndalonte transmetimin dhe shpërndarjen e programit televiziv “RT DE” deri më 4 mars 2022. “RT DE Productions GmbH” kishte paraqitur një ankesë kundër kësaj, e cila nuk e pengoi vendosjen e gjobës deri në marrjen e një vendimi gjyqësor. Meqenëse transmetimi i drejtpërdrejtë i RT DE ishte ende i disponueshëm në faqe të ndryshme interneti më 5 mars 2022, MABB caktoi gjobën në përputhje me rrethanat, dhe ajo duhet të paguhet deri më 16 mars 2022. Në të njëjtën kohë, MABB do të kërcënojë me një gjobë të re prej 40,000 eurosh nëse transmetimi i programit televiziv “RT DE” nuk ndërpritet deri më 16 mars 2022.”

Gjithashtu, tek shpjegimi i një fotoje të artikullit në fjalë, gjejmë informacionin se franshiza e EuroNews për Serbi, mbahet nga po “Telekom Srbija”. Nisur nga fakti që këtë franshizë në Tiranë, për Shqipërinë, e ka blerë një shoqëri me plot dritëhije e shumë anonime, natyrshëm lind pyetja në mos edhe një portë tjetër do t’i hapet Serbisë së Vuçiqit në tregun medial shqiptar?!



Të tjera
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Ja çfarë sëmundje keni nëse ju del gjumi natën
Serbia, rreshtohet pranë Rusisë duke mos votuar rezolutën e OKB-së për kthimin e fëmijëve ukrainas