Maqedonci: Vizita e delegacionit të SHBA-së riafirmon partneritetin në mbrojtje

Vizita e delegacionit të SHBA-së riafirmon partneritetin në mbrojtje

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në takim delegacionin e SHBA-së të kryesuar nga kongresistët Mike Turner dhe Donald Norcross, përcjell KosovaPost.

Në njoftimt thuhet se, vizita e kongresistëve riafirmoi partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes.

Gjatë takimit, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit, duke përfshirë trajnimet e vazhdueshme të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të programeve ushtarake amerikane, si dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare “Defender Europe”.

Maqedonci theksoi përkushtimin e Kosovës për modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse, duke përmendur pajisje të avancuara amerikane si sistemet Javelin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme, përfshirë Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA.

Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.

Kosova mbetet e angazhuar për orientimin e saj euro-atlantik dhe kontribuon aktivisht për paqen dhe sigurinë në Evropë, u shpreh Maqedonci në fund të takimit.