Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar sonte nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, përcjell KosovaPost.
Në një shënim të tij Basha e ka cilësuar 28 nëntorin frymë që na mban bashkë dhe kujtim të sakrificave shekullore ndër breza, që jetuan, punuan e ranë për çlirim e bashkim të trojeve tona.
“Nga Skënderbeu që ngriti flamurin në Krujë, te qëndresa heroike e Kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familjen e tij, 28 nëntori është ura që na lidhë me epokat e lavdisë sonë kombëtare. Çdo brez ka lënë gjurmë në këtë udhë të gjatë me heronjtë e vet, e kjo është linja që na e mëson se liria për ne është e shenjtë dhe mbetet obligim yni ta ruajmë e avancojmë kombin tonë deri në realizim të idealeve tona historike”, ka thënë Basha.
Kreu i Kuvendit ka vlerësuar se më shumë se kurrë, e ndiejmë detyrimin institucional, moral e kombëtar të ruajmë këtë trashëgimi me kujdes, ta forcojmë bashkëpunimin mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe të qëndrojmë bashkë përballë çdo sfide. Bashkimi ynë, ka shtuar Basha, është forca më e madhe që kemi dhe e ardhmja ndërtohet mbi këtë premisë që e ka trasuar rrugën e fitoreve përgjatë historisë sonë të lavdishme.
“Urime 113 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Qoftë 28 nëntori ditë e përhershme krenarie, frymëzimi dhe besimi në fuqinë e kombit tonë. Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për flamurin e kombin tonë dhe e bënë të mundur që sot të festojmë të lirë e të pavarur”, ka thënë Basha.



Të tjera
Serbia, rreshtohet pranë Rusisë duke mos votuar rezolutën e OKB-së për kthimin e fëmijëve ukrainas
Qeveria në detyrë merr dy vendime përmes mbledhjes elektronike
Pse tradhtojnë femrat? Këto janë arsyet më të shpeshta