Më 25 nëntor 1997 në Vojnik të Skenderajt, filluan luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Më 25 nëntor 1997 në Vojnik të Skenderajt, filluan luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Më 25 nëntor të vitit 1997, forcat policore serbe kishin rrethuar lagjen Binakaj të fshatit Vojnik të Skënderajt, me qëllim për ta arrestuar luftëtarin, (tani dëshmor) Abedin Rexha, i njohur me nofkën e luftës, “Sandokani”.   

Abedin Rexha bashkë me vëllezërit: Afrimin, Brahimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë  u kishte dalë përballë forcave serbe duke iu kundërpërgjigjur me breshëri zjarri të automatikut. Gjatë luftimeve, serbët kishin plagosur 11-vjeçarin, Baki Krasniqi.  Atë ditë policët serbë  pasi kishin humbur dy pjesëtarë u tërhoqën me shpejtësi nga frika se do të pësonin edhe më keq.

Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë serbe me autoblinda pizgauerë mitralozë të rëndë dhe me një helikopter që përcillte zhvillimet nga lartë, ishin nisur në relacionin Skenderaj -Llaushë-Rezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiçecit, kishte zënë pritë komandanti, Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për ti akorduar veprimet luftarake. Piloti i helikopterit, disa herë i goditur nga armët e luftëtarëve të lirisë  nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit.

Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe, në shenj hakmarrjeje derdhin breshëri plumbash në shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi, Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha.

Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës.

Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës.

Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb.

Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit legjendar Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.