Zgjedhjet në Francë, Murtezaj: nuk priten ndryshime në raport me Kosovën

“LDK-ja 18 muaj pa mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm – demokracia brenda partisë është cenuar rëndë”

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, ka reaguar publikisht ndaj, siç thotë ai, mosfunksionimit demokratik të organeve të partisë, duke theksuar se Këshilli i Përgjithshëm nuk është thirrur për plot 18 muaj, që nga data 28 maj 2024, përcjell KosovaPost.

Në postimin e tij, Murtezaj ka ngritur shqetësimin se anëtarëve të Këshillit u është mohuar mundësia të kryejnë përgjegjësinë e tyre statutare për të përcaktuar qëndrimet politike të LDK-së dhe për të diskutuar gjendjen e përgjithshme në vend.

“Si është e mundur që kjo të ndodhë?” – pyet Murtezaj

Ai ka adresuar pyetje të drejtpërdrejta ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, duke kritikuar atë që e quan “abrogim” të funksioneve demokratike të partisë.

Murtezaj ka theksuar se Statuti i LDK-së përcakton qartë se vetëm Këshilli i Përgjithshëm ka autoritet të vendosë për qëndrimet politike të partisë dhe çështjet madhore që lidhen me organizimin dhe rolin e LDK-së në institucionet shtetërore.

Kritikë për krizën politike në vend

Në reagimin e tij, Murtezaj ka nënvizuar se Kosova po përballet me krizën më të rëndë politike dhe institucionale në vitet e paspavarësisë, duke theksuar se vendi për një vit “nuk ka qeveri efektive dhe as Kuvend efektiv”. Sipas tij, kjo situatë është pasojë e “palidershipit politik” dhe mungesës së përgjegjësisë.

Rikthim te vlerat e Rugovës

Murtezaj i është kthyer edhe vlerave themeluese të LDK-së, duke përkujtuar Presidentin Ibrahim Rugova dhe themeluesit e partisë, të cilët, sipas tij, ndërtuan LDK-në mbi parimet e paqes, lirisë dhe demokracisë.

Ai ka theksuar se angazhimi politik duhet të jetë “humanist e altruist”, duke refuzuar çdo formë profiterizmi dhe vendimmarrjeje jashtë normave statutare.

“Demokracia marshon dhe nuk mund ta ndalë askush”

Në fund të reagimit të tij, Murtezaj ka shprehur vendosmërinë për të mbrojtur frymën demokratike brenda LDK-së dhe parimet rugoviane që, siç thotë ai, duhet ta udhëheqin partinë.

Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush. Zoti e bekoftë lirinë dhe demokracinë në Kosovën europiane. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës”, përfundon Murtezaj.