Hungaria thotë se nuk do ta lërë Serbinë pa burime energjie

Hungaria thotë se nuk do ta lërë Serbinë pa burime energjie

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, njoftoi në Beograd një marrëveshje mbi detajet teknike të mbështetjes energjetike për Serbinë dhe tha se Hungaria nuk do ta lërë Serbinë pa burime energjie.

Szijjarto dhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, me të cilin u takua, theksuan marrëdhëniet “rekord të mira” midis dy vendeve dhe bënë thirrje të përbashkët për paqe në Ukrainë.

“Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm. Do të përdorim gjithçka që kemi në dorë për t’ju ndihmuar të keni furnizim të sigurt me energji”, tha ministri i Jashtëm hungarez, i cili ndodhet në Beograd me rastin e takimit të Ministrave të Jashtëm të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI).

Szijjarto theksoi se ai dhe Gjuriqi “ranë dakord për çështjet më të rëndësishme politike”. Ai shtoi se ashtu si Hungaria mund të mbështetet gjithmonë te Serbia kur bëhet fjalë për furnizimin me energji, edhe Serbia mund të mbështetet gjithmonë te Hungaria për t’i siguruar vetes burimet e nevojshme të energjisë.

Duke folur për luftën në Ukrainë, ministri hungarez tha se si Serbia ashtu edhe Hungaria po vuajnë pasojat e konfliktit, megjithëse, siç theksoi ai, “ato nuk kanë përgjegjësi për fillimin e tij”. Ai paralajmëroi se lufta nuk ka fitues dhe nuk mund të zgjidhet në fushën e betejës.

“Kjo luftë që po zhvillohet në Ukrainë, nëse vazhdon nga pikëpamja e Evropës, do të jetë vërtet e pakuptimtë. Çmimin e kësaj lufte, tani ne evropianët e kemi paguar, dhe nuk kemi të bëjmë fare me të dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi për fillimin e kësaj lufte, dhe ne po e paguajmë çmimin. Si serbët ashtu edhe hungarezët po paguajnë një çmim shumë të lartë për këtë luftë, dhe ne nuk kemi të bëjmë fare me të”, tha Szijjarto.

Ai deklaroi se situata me furnizimin me energji është pasojë e luftës. “Po zhvillohet një luftë në të cilën nuk do të ketë fitues. Duke pasur parasysh që po jetojmë në një kohë rreziku, bashkëpunimi midis Hungarisë dhe Serbisë është shumë më i rëndësishëm sesa ka qenë”, tha Szijjarto.

“Biseduam përsëri për sfidat më të mëdha, të cilat janë luftërat, migrimi, furnizimi me lëndë të para energjetike, si do t’i kapërcejmë të gjitha këto probleme dhe arritëm në përfundimin se do të mbetemi miq në këtë”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se nuk ka mik më të ngushtë dhe më të mirë për Serbinë sesa miqtë hungarezë, duke shtuar se bashkëpunimi midis dy vendeve është bërë shembulli më i mirë i mundshëm i bashkëpunimit evropian dhe përmirësimit të marrëdhënieve midis vendeve gjatë viteve.