Një ditë më parë ka filluar periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të kenë mundësi që të zgjedhin mënyrën përmes së cilës duan të bëhen votues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Po një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi mes shumë debatesh edhe numrin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit, proces i cili do të mbahet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime të vendosura në 36 shtete të botës.
Megjithatë, është bërë e ditur se kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ-ja, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.
“Gjithashtu, KQZ ka caktuar numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62,700 votues”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Po ashtu, sipas vendimit të këtij institucioni që organizon zgjedhjet, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ është 60, me gjithsej 109 vendvotime. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit është 103,550”, thuhet në njoftimin që ka shpërndarë sot KQZ-ja.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.
“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
http://Më gjerësisht: https://kqz-ks.org/lista-e-qendrave-te-votimit-per-votim-jashte-kosoves-dhe-numri-maksimal-i-votuesve-ne-secilen-prej-tyre/



Të tjera
Majdanozi, vlerat e rralla për veshka të shëndetshme
Karota parandalon kancerin
Pesë shenja që tregojnë se duhet të eliminoni glutenin nga dieta juaj