Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar një pako mbështetëse financiare për Kombëtaren e Kosovës, si motivim para sfidave të ‘play-off’-it për Botërorin 2026.
Gjatë mbledhjes të së enjtes, Kurti njoftoi se janë ndarë 250 mijë euro për arritjen historike të kualifikimit në ‘play-off’, ndërsa është zotuar për shpërblime shtesë në rast të rezultateve të mëtejme pozitive.
Sipas Kurtit, 500 mijë euro do të akordohen nëse Kosova arrin ta mposhtë Sllovakinë, ndërsa për kualifikimin në Kampionatin Botëror, Qeveria është zotuar për një shpërblim prej 1 milion euro.
“Një lajm të mirë e kemi për përfaqësuesen tonë në futboll, për djemtë, me të cilët jemi krenarë në çdo ndeshje. Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026, kalimin në fazën e play-off-it, me vendim të qeverisë, sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim. Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim. Besimin tonë në ta, po e shprehim me zotimet tona për ta: Së pari: në rast fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove; Së dyti: Në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro të tjera shpërblim. Përpara Kosovë. Gjithmonë me ty!”, ka theksuar Kurti.
Kosova do të udhëtojë më 26 mars në Bratislavë për t’u përballur me Sllovakinë, ndërsa në rast fitoreje, ndeshja vendimtare për kualifikim do të zhvillohet në Prishtinë ndaj fituesit të duelit Turqi – Rumani.
Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi edhe një mbështetje financiare prej mbi 23 mijë eurosh për klubin e futsallit Prishtina 01, për arritjet e tij në Ligën e Kampionëve.



Të tjera
Majdanozi, vlerat e rralla për veshka të shëndetshme
Karota parandalon kancerin
Pesë shenja që tregojnë se duhet të eliminoni glutenin nga dieta juaj