Në Luginën e Preshevës është shënuar28 Nëntori- Dita e Flamurit, pavarësisht ndalesave që manifeston shteti serb. Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi, e vendosi flamurin në mënyrë solemne, që më pas u vendosë edhe në komunën e Preshevës.
Ndërsa kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti bëri homazhe te varri i dëshmorit Ridvan Qazimi- Komandant Lleshi dhe te dëshmorët tjerë në Luginë.
“Në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, bëmë homazhe në nderim të dëshmorëve tanë të historisë më të re. Pa sakrificën dhe përkushtimin e tyre, edhe kjo festë sot nuk do të kishte kuptim. I kujtojmë me respekt të thellë, sidomos në këtë ditë, të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën nga vetja për këtë flamur, për identitetin tonë dhe për idealet e një mëmëdheu të lirë. Nderimi për ta është amanet për të vazhduar punën me përkushtim, në shërbim të qytetarëve tanë dhe të së ardhmes që ata ëndërruan”, ka shkruar ai.
Ndërsa kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani pas një manifestimi kulturor në Shtëpinë e Kulturës, shkruan për Nëntorin e Tretë.
“Nën tingujt e muzikës tradicionale burimore shqipe, në programin festiv sot në Shtëpinë e Kulturës. Me mendje e zemër për Nëntorin e tretë. Për Luginën që e ëndërrojmë si Kosovë Lindore. Për Festën e Flamurit”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se ndalimi i flamurit kombëtar shqiptar në Serbi ka bërë që përdorimi i tij në të kaluarën të shoqërohet me pasoja ligjore. Dhjetëra qytetarë shqiptarë janë proceduar nga gjykatat serbe, e disa prej tyre edhe janë dënuar vetëm për faktin se kanë shfaqur flamurin kuqezi.
Deri më sot, flamuri kombëtar ka mundur të qëndrojë i vendosur kryesisht në hapësira përkujtimore, si varrezat e dëshmorëve të UÇPMB-së në Dobrosin, Tërrnoc dhe Rahovicë.
Vendosja e tij në objektet e institucioneve lokale shihet si një hap afirmues për identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.



Të tjera
Karota parandalon kancerin
Pesë shenja që tregojnë se duhet të eliminoni glutenin nga dieta juaj
5 trika psikologjikë që jua stërvisin trurin për të qenë inovativ