LVV nesër mban konferencë para Prokurorisë Speciale

VV dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së për votimin e diasporës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ndalon votimin e bashkatdhetarëve në qendrat e votimit të identifikuara përmes përfaqësive diplomatike, përcjell KosovaPost.

Sipas VV-së, Ligji për Zgjedhjet parashikon qartë mundësinë që përfaqësitë diplomatike të administrojnë hapësira jashtë objekteve të tyre, me qëllim të krijimit të kushteve reale që shtetasit e Kosovës jashtë vendit të mund të votojnë.

Lëvizja thekson se ligji jo vetëm që nuk e ndalon këtë praktikë, por i jep KQZ-së bazën e nevojshme ligjore për të krijuar hapësira që garantojnë qasje për të gjithë votuesit.

Në reagim përmenden edhe standardet ndërkombëtare dhe opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat, sipas VV-së, e afirmojnë votimin fizik jashtë vendit në qendra të hapura posaçërisht për këtë qëllim. Po ashtu, VV përmend praktikat e shumë vendeve të tjera që e aplikojnë këtë model si të rregullt dhe legjitim.

Ankesa tani pritet të shqyrtohet nga Gjykata Supreme.