Shorti i Kupës së Botës në SHBA nën hijen e Trumpit dhe bojkotit iranian – Ekonomia Online

Shorti i Kupës së Botës në SHBA nën hijen e Trumpit dhe bojkotit iranian

Shorti i Kupës së Botës në Washington DC po cilësohet nga FIFA si një “moment emocionues”, por atmosfera është e tensionuar dhe e mbushur me polemika.

Ngjarja pritet të dominohet nga prania e presidentit amerikan Donald Trump, i cili sipas mediave rrezikon ta kthejë ceremoninë në një spektakël personal, ashtu siç bëri në Ryder Cup.

Ndërkohë, problemi i vizave ka shkaktuar bojkot nga Irani. Autoritetet amerikane kanë miratuar vetëm katër viza për delegacionin iranian, duke përjashtuar presidentin e Federatës, Mehdi Taj.

Edhe ndërhyrja e Gianni Infantinos nuk solli zgjidhje, ndaj Irani e ka cilësuar ngjarjen si të politizuar.

Rio Ferdinand do të hedhë shortin, ndërsa Tom Brady do të jetë ndër të ftuarit specialë. Ekipet do të marrin vesh grupet dhe kundërshtarët, por organizatorët kanë shtyrë shpalljen e vendeve dhe orareve të 104 ndeshjeve për 24 orë të tjera – një risi historike që ka shkaktuar konfuzion.

Orari i plotë do të bëhet publik të shtunën në orën 17:00, duke e bërë të pamundur planifikimin e menjëhershëm për trajnerët, përfshirë edhe Thomas Tuchel.

Ndërkohë, FIFA mban të ndara katër kombëtaret më të renditura deri në gjysmëfinale, por rrugët e fazës me eliminim duket se mbeten të paqarta.