Serbia nuk mori pjesë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon zhvendosjen e detyruar të fëmijëve ukrainas në Rusi dhe kërkon kthimin e tyre të menjëhershëm. Në tabelën zyrtare të OKB-së, Serbia figuron si shtet që nuk ka votuar fare, duke u bërë i vetmi vend nga rajoni dhe nga grupi i shteteve të Bashkimit Evropian që zgjodhi të mos shprehte qëndrim.
Tërheqja e Serbisë nga votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën që dënon zhvendosjen e detyruar të fëmijëve ukrainas në Rusi është interpretuar nga opozita si një tjetër sinjal se Beogradi po rreshtohet hapur pranë politikave të Moskës.
Partia Srbija centar (SRCE) deklaroi se duke mos marrë pjesë në këtë votim, Serbia praktikisht “i jep mbështetje Rusisë edhe në veprimet e saj më të rënda në Ukrainë, përfshirë marrjen me dhunë të fëmijëve ukrainas”. Sipas SRCE, ky qëndrim e vendos Serbinë në anën e gabuar të historisë dhe e largon nga partnerët perëndimorë.
Në tabelën zyrtare të OKB-së pas votimit, Serbia figuron si shteti që nuk ka votuar fare, ndonëse të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE-së mbështetën rezolutën.
SRCE e përshkroi këtë veprim si rezultat të “politikës së jashtme diletante dhe të paorientuar” të pushtetit të SNS-së. Sipas partisë, politika e jashtme serbe është “pa drejtim, pa strategji dhe e udhëhequr vetëm nga interesat e ngushta të mbajtjes së pushtetit”.
Rezoluta e miratuar me 91 vota pro dënon zhvendosjen e fëmijëve ukrainas në territorin rus, adoptimin e tyre të paligjshëm dhe fshirjen e identitetit të tyre. Dokumenti kërkon kthimin “e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të fëmijëve dhe thekson se zhvendosja e detyruar e civilëve nga një territor i pushtuar është rreptësisht e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare humanitare.
Opozita serbe paralajmëron se mosvotimi i Serbisë jo vetëm dëmton reputacionin e vendit, por edhe e thellon izolimin diplomatik në një moment kur aleancat ndërkombëtare janë vendimtare.



Të tjera
8 mënyrat natyrale që parandalojnë rrudhat dhe plakjen e fytyrës
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Ja çfarë sëmundje keni nëse ju del gjumi natën