Kryetarët e Listës Serbe pasi rimarrin pushtetin në veri i raportojnë Petkoviqit në Rashkë

Kryetarët e Listës Serbe pasi rimarrin pushtetin në veri i raportojnë Petkoviqit në Rashkë

Pak orë pasi përfaqësuesit e Listës Serbe rimorën kontrollin në komunat me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë katër komunat në veri, janë paraqitur në Rashkë për një takim me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas takimit, Petkoviq deklaroi se rikthimi i pushtetit lokal “te populli serb” në veri të Kosovës, si dhe “forcimi i mëtejshëm i komunave serbe në jug të Ibrit”, përbëjnë një hap të rëndësishëm për “të ardhmen, të mirën dhe mbijetesën e popullit serb”.

“Po vijnë kohë më të mira edhe në Kosovë”, shkroi ai në një postim në Instagram, duke shtuar se Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, “është gjithmonë aty për të mbështetur popullin e vet” dhe për të garantuar “ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.

 

Rimarrja e pushtetit nga Lista Serbe vjen tre vjet pas largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës.