Osmani: Mbështetja e Hungarisë, kyçe për heqjen e masave të BE-së

Mbështetja e Hungarisë, kyçe për heqjen e masave të BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok, i cili qëndroi për herë të parë për vizitë pune në Kosovë, së bashku me zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy. Gjatë takimit bilateral, palët diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përcjell KosovaPost.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, theksoi rëndësinë e mbështetjes së Hungarisë për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e vlerësuar atë si thelbësore për procesin e integrimit euro-atlantik të vendit.

Sipas saj, avancimi i Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s është në interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, por edhe të stabilitetit të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian.

“Në takimin bilateral me Presidentin Sulyok përsërita se mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të padrejta të BE-së, është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i vendit tonë është në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian”, ka shkruar Osmani në Facebook.