BE-ja, e gatshme të punojë me qeverinë e re

BE-ja, e gatshme të punojë me qeverinë e re

Një ditë pas raportimit të KOHËS se BE-ja nuk do t’i heqë masat ndaj Kosovës as pas transferimit të pushtetit lokal në veri, zyrtarë nga Brukseli thanë se janë të gatshëm të punojnë me autoritetet e Kosovës, por pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Ata po ashtu e kanë përmendur edhe përparimin në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në një përgjigje për KOHËN nga një zëdhënës i BE-së është thënë se Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së.

“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve… BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme të lidhura me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe duke bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigje.

KOHA ka raportuar të dielën se BE-ja nuk do t’i heqë masat ndaj Kosovës as pas transferimit të pushtetit lokal në veri. KOHA është informuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Në anën tjetër, “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen. Komisioni Evropian, sipas disa diplomatëve evropianë, “po fshihet prapa disa vendeve anëtare dhe po luan lojën e dyfishtë”.

Tash e një kohë të gjatë Bashkimi Evropian pati paralajmëruar se masat ndaj Kosovës do të hiqen sapo të kryhet “transferimi normal i pushtetit lokal në komunat veriore”.

Dorëzimin e pushtetit pa probleme në veri e ka përshëndetur edhe një herë BE-ja përmes shefit të saj në Prishtinë, tek kërkoi angazhim konstruktiv mes autoriteteve.

Shefi i kësaj zyre, Aivo Orav, ka zhvilluar të hënën një takim me katër kryetarët e rinj të komunave veriore në Zveçan, ku tha se tranzicioni u realizua në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Orav ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale mbetet thelbësor për funksionimin demokratik të komunave dhe për garantimin e stabilitetit në veri të vendit.

Ai ritheksoi rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga të gjitha palët.

“Ritheksova nevojën për angazhim konstruktiv ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale, si dhe mbështetjen e BE-së për realizimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, sipas Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Orav.

E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza, ka njoftuar të hënën se u është drejtuar me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe institucioneve të BE-së, me të cilën ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Si kryetar i PDK-së dhe kryeministër i ardhshëm u jam drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe institucioneve të BE-së, duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Ai ka vlerësuar se është koha për një kapitull të ri në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Kosova ka kaluar një vit me zgjedhje të njëpasnjëshme, por ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë demokratike. Qytetarët tanë, ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të ndëshkohen për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Masat aktuale të BE-së janë të pajustifikueshme dhe po e dëmtojnë vendin në një periudhë kur kemi nevojë për zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe stabilitet politik”, ka shkruar Hamza.

BE-ja ia pati vendosur sanksionet Kosovës pas tensioneve të vitit 2023 në veriun e populluar kryesisht me serbë. Brukseli pati vlerësuar se vendimi i qeverisë për t’i dërguar kryetarët në objektet komunale e ka përshkallëzuar situatën, ku për disa javë pati protesta ku u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët.