Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi/Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, sot përmbyll fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga data 25 nëntor deri më 10 dhjetor 2025, në të gjitha komunat e vendit.
Në njoftimin për media thueht se gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet” Policia e Kosovës ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, duke përfshirë shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave, transmeton KosovaPost.
“Përmes angazhimit të vazhdueshëm të njësiteve të Policimit në Bashkësi, janë zhvilluar takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, me fokus të veçantë parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi institucional, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale për fushatën kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet përmbyllës realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke reflektuar angazhimin e përbashkët institucional në luftimin e dhunës dhe mbështetjen e viktimave”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Policia e Kosovës thekson edhe një herë se lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nuk kufizohet në 16 ditë – ajo është përgjegjësi e përditshme dhe përkushtim i vazhdueshëm. Inkurajojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast dhune, duke telefonuar numrin 192, linjën e veçantë 0800 19999, ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. Zëri juaj shpëton jetë”, thuhet në njoftim.




Të tjera
Si të mbroheni nga gripi dhe ftohja këtë sezon virusesh?
Grabitet një taksist në Prishtinë
Dhjetë persona intervistohen në Pejë për falsifikim të rezultateve të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit