Jovan Viqentijeviq, një nga vëllezërit e akuzuar për sulmin me rreth 20 kilogramë eksploziv në kanalin e Ibër–Lepencit një vit më parë, ka rrëfyer se në tetor të vitit 2024 ishte planifikuar një sulm tjetër në territorin e Kosovës.
Sipas rrëfimit të Viqentijeviqit, Radoiçiqi e ndaloi sulmin shkaku i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritjes për fitoren e Donald Trumpit. Madje, ai thotë se Radoiçiqi e financoi fushatën e Trumpit me 30 milionë euro përmes lobit serb.
“Tutje, i pandehuri Jovan Viqentijeviq ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024 ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër rreshtimi ndërkombëtar Milan Radoiçiq me arsyetimin se duhet të presim deri të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që, sipas informatave që ka i pandehuri Viqentijeviq, Milan Radoiçiq ka financuar fushatën e z. Trump te Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Jovan Viqentijeviq përveç akuzës për veprën terroriste, po hetohet edhe për spiunazh, ndërsa në dosje figuron edhe një kartelë e inteligjencës ushtarake.
Viqentijeviq ka pohuar gjithashtu se një ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, ai ndodhej në një bazë ushtarake në Serbi, ku – sipas tij – ishte duke u trajnuar grupi i Radoiçiqit.
Aktakuza për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, që akuzohen për “rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.



Të tjera
Këshilla për gjumë të rehatshëm
Pse duhet të konsumojmë dardha?
Themelorja do të vendosë më 1 korrik për të ndalurit në Gazimestan