Nuk ndalen protestat e fermerëve në Greqi, bllokohet sërish aksi Kakavijë–Janinë

Nuk ndalen protestat e fermerëve në Greqi, bllokohet sërish aksi Kakavijë–Janinë

Prej disa ditësh, fermerët në Greqi po vijojnë protestat në shenjë pakënaqësie ndaj politikave qeveritare dhe vështirësive ekonomike në sektorin bujqësor. Si pasojë, edhe këtë të shtunë, më 13 dhjetor, do të bllokohet aksi rrugor Kakavijë–Janinë.

Policia Kufitare Kakavijë njoftoi se, bazuar në informacionin e marrë nga Policia Kufitare Greke përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit, bllokimi do të ndodhë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, sipas orës greke.

Gjatë këtij intervali kohor, do të lejohet qarkullimi vetëm për automjetet që kanë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe këshillon planifikimin e udhëtimeve në orare të tjera të ditës.