Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur bindjen se prania ushtarake amerikane në kuadër të NATO-s në Kosovë nuk do të reduktohet, pavarësisht debatit të krijuar pas publikimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë për Bloomberg në Bruksel, presidentja Osmani ka theksuar se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një zonë me rëndësi strategjike për Uashingtonin, përfshirë edhe administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
Ajo vuri në dukje se Kosova konsiderohet një arritje e rëndësishme e politikës amerikane në rajon dhe se ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga të dyja partitë politike në SHBA.
Osmani ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës u shpall gjatë një administrate republikane dhe se edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit janë shënuar zhvillime pozitive për vendin. Sipas saj, ekziston potencial që edhe në mandatin e dytë të tij të ketë hapa përpara për çështje kyçe në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja ka nënvizuar se prania amerikane në Kosovë, ndonëse numerikisht e kufizuar në rreth 500 deri në 600 trupa, ka një rol vendimtar në garantimin e paqes dhe stabilitetit. Ajo ka deklaruar se ky angazhim përfaqëson mekanizmin më të fuqishëm parandalues kundër çdo tensionimi të situatës në rajon.
Duke folur për rolin e Trumpit, Osmani ka theksuar se ai ka kontribuar në ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe se administrata e tij ka treguar interes të veçantë për rajonin, përfshirë edhe angazhimet për të shmangur përshkallëzime të fundit të situatës.
Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, Osmani ka deklaruar se problemi kryesor qëndron në lidershipin në Beograd. Ajo ka shtuar se synimi i Kosovës është të mos lejohet përsëritja e së kaluarës dhe që brezat e rinj të kenë mundësi të jetojnë në paqe, me perspektivë të qartë integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe me partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
Presidentja kritikoi gjithashtu qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke vlerësuar se toleranca e treguar ndaj Beogradit ka nxitur sjellje më konfrontuese në rajon. Sipas saj, Serbia nuk është e harmonizuar me politikat dhe vlerat themelore të BE-së.



Të tjera
Kemi lajme të shkëlqyeshme, u mor vendim që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës
Pse nuk po nxiheni siç doni në plazh: 10 këshilla që ju ndihmojnë
Kurti nga Mitrovica, premton investime në FSK, Trepçë dhe mirëqenie sociale