Në prag të zgjedhjeve të parakohshme për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, misioni i OSBE-së në Kosovë, me mbështetje financiare nga Ambasada e Francës, ka nisur një seri punëtorish në pesë rajonet e vendit, me synim forcimin e kontakteve me gratë votuese dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në procesin zgjedhor.
Në njoftimin e OSBE-së thuhet se, pavarësisht legjislacionit për barazi gjinore dhe kuotave zgjedhore në fuqi, gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në proceset e vendimmarrjes politike.
“Punëtoritë do të fokusohen në identifikimin e arsyeve pse ky hendek vazhdon të ekzistojë, në vlerësimin e efektshmërisë së mekanizmave ligjorë dhe institucionalë aktualë, si dhe në shqyrtimin e rolit të institucioneve zgjedhore, partive politike, mediave dhe shoqërisë civile në avancimin e barazisë gjinore në politikë dhe në jetën publike”, thuhet në njoftim.
Punëtoria do të mbahet në Prishtinë, më 22 dhjetor, në orën 10:00, dhe do të hapet nga kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, si dhe Kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zenel Leku. Pas hapjes, do të zhvillohen panele diskutimi në nivel të lartë me pjesëmarrjen e ambasadorëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.



Të tjera
Nuk do të përfshihemi në luftën që ka të bëjë me mbijetesën politike të Netanyahut
Haxhiu bëri homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan
Tri mite rreth shëndetit që nuk janë të vërteta