Ndëshkohen dy kamionë transportues në Ferizaj për ndotje të rrugës

Ndëshkohen dy kamionë transportues në Ferizaj për ndotje të rrugës

Pas ankesave të qytetarëve të pranuara përmes Qendrës së Komunikimit në Policinë Rajonale të Ferizajt, policia e trafikut ka ndaluar dhe ndëshkuar dy kamionë transportues me targa të huaja, të angazhuar nga kompani private.

Sipas policisë, shoferët e autorizuar ishin të ngarkuar me transportimin e dheut, por nuk kishin kryer pastrimin e gomave të automjeteve para hyrjes në rrugë të asfaltuar. Si pasojë, rruga magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në fshatin Komogllavë, është ndotur në tri lokacione të ndryshme.

Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 41, paragrafi 3, ndaj kompanive përgjegjëse është shqiptuar nga një gjobë në vlerë prej 1,000 euro për ndotje të ambientit.

Sipas ligjit, shoferëve u ndalohet hyrja nga rrugët dytësore të pashtruara në rrugë të asfaltuara pa larguar baltën apo materialet e tjera ndotëse nga rrotat e automjeteve.