Armë, municion dhe pajisje ushtarake janë gjetur nga Policia e Kosovës në dy raste të ndara në Leposaviq më 19 dhe 20 dhjetor.
Sipas policisë, rasti i parë, në orët e vona të 19 dhjetorit gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë dhe një palë dylbi.
Si rrjedhojë e procedurave hetimore, thuhet se një ditë më vonë zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake, një frotroll për revole. Në këtë rast nuk është arrestuar asnjë person.
Për rastin e dytë thuhet se Policia në orët e para të 20 dhjetorit ka arrestuar të dyshuarin R.R., 60 vjeçar, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Veacev të Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.



Të tjera
Një portokall në ditë mban larg verbërinë
“Mirë se vini në Republikën e Sanxhakut” – pankarta në Novi Pazar dhe pretendimet për Albin Kurtin
Në natën e ndërrimit të moteve nuk do të ketë numërim votash