Sor në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të fillojë gjykimi ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët akuzohen për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut më 29 nëntori të vitit 2024.
Ndryshe javë me parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J.V., D.V., dhe I.D për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.
J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .
Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.
Ndërsa, i pandehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, toger ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.



Të tjera
Humbisni 12 kilogramë në një muaj me dietën braziliane
Kosova dhe Shqipëria, pjesë e ndihmës ushtarake amerikane me sisteme Javelin
Sa fëmijë duhet të keni për të qenë të lumtur?