Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Fillimisht, Gjeneral Jashari e falënderoi Gjeneral Kingjin për lidershipin e tij në udhëheqjen e FARSH-it, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore ndaj FSK-së. Po ashtu, u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës, si një kontribuues i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave tona në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, veçanërisht në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, duke avancuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.
Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar. Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse u vlerësua si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. (A2 Televizion)



Të tjera
Haskuka solli për herë të parë në Kosovë diagnostikimin falas të kancerit në sektorin publik
Vendosni një copë akulli në qafën tuaj dhe shikoni çfarë ndodhë
Rama, Balluku e Vengu përfliten për listën “non grata” amerikane