Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi kinetik ndaj Kanalit të ujit Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024 kishte për qëllim zhvendosjen e krizës politike nga Beogradi drejt veriut të Kosovës, përcjell KosovaPost.
Sipas Kurtit, sulmi ndodhi tre javë pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, dhe dhjetë ditë para protestës së parë të paralajmëruar në Beograd, në një kohë kur reagimi qytetar në Serbi po përshkallëzohej me shpejtësi.
Ai ka theksuar se qëllimi i sulmit ishte jo vetëm futja e Kosovës në kolaps energjetik dhe të shërbimeve esenciale, por edhe krijimi i pasigurisë tek qytetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe.
Në një postim në Facebook, Kurti ka publikuar një grafikë, e cila sipas tij, dëshmon se sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 përbën pikën e lakimit në reagimin qytetar në Serbi, duke ndikuar në ndaljen e përshkallëzimit të protestave.
“Regjimi i Aleksandar Vuçiqit, i përballur me protesta në rritje që rrezikonin stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën dhe të eksternalizojë krizën e brendshme”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë të Zubin Potokut ka ndikuar drejtpërdrejt në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejmë të protestave, çka sipas Kurtit duket të ketë qenë një nga synimet kryesore të pushtetit serb.
Kurti ka vlerësuar se Serbia vazhdon të veprojë sipas modeleve të vjetra të prodhimit të krizave, të ngjashme me praktikat e periudhës së Sllobodan Millosheviqit, duke gjeneruar qëllimisht tensione për të ruajtur pushtetin e brendshëm.
Ai ka shtuar se metodat hibride ruse vazhdojnë të shërbejnë si model për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Pas agresionit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë, në bashkëpunim me struktura parashtetërore, përfshirë Millan Radoiçiqin dhe rrjetin e tij kriminal-terrorist”, ka shkruar Kurti.
Në fund, ai u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie, por si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti, duke kërkuar hapa konkretë dhe sanksione për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla.


Të tjera
Qeverisja e ardhshme fokusin do ta ketë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale
Ministri Sallahu nënshkruan Projektkodin e etikës për Ekspertët Gjyqësorë
Vera dhe çokollata e zezë ngadalësojnë plakjen