Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sonte fjalimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Prishtinë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
Në këtë tubim, Kurti ka falënderuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, duke theksuar se meritat për çlirimin u takojnë atyre. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos lëshojnë pe për sigurinë dhe begatinë e vendit.
“Lirinë që e gëzojmë sot ia kemi borxh UÇK-së. Për më shumë siguri dhe mirëqenie, mos lëshoni pe”, u shpreh Kurti.
Duke folur për qeverisjen e tij, Kurti tha se para më pak se pesë vjetësh kishin trashëguar një shtet të zhytur në korrupsion, ndërsa sot, sipas tij, ekonomia është lartësuar, prodhimi është rritur dhe arsimi është ngritur.
“Jemi më krenarë sot sesa para pesë vjetësh. Përkundër të gjitha krizave globale, rritja mesatare ekonomike ka qenë rreth 6 për qind”, tha Kurti, duke e krahasuar këtë me qeveritë e kaluara, për të cilat tha se pa pasur kriza kishin rritje më të ulët ekonomike.
Ai theksoi se çdo vit ekonomia është rritur për rreth një miliard euro, ndërsa rritja ekonomike dhe punësimi, sipas tij, janë shumëfish më të larta krahasuar me të kaluarën.



Të tjera
Kurti tregon pesë vendimet e para nëse merr mandatin e tretë
Ndërhyrja e Serbisë pritet të ndikojë në votën e pakicës serbe në Kosovë
Policia e Kosovës apelon: Festoni me zemër, jo me dh*unë