Rama uron Kurtin për fitoren: Mandati i konfirmuar të kthehet në sukses e mbarësi për Kosovën

Mandati i konfirmuar të kthehet në sukses e mbarësi për Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë, duke shprehur shpresën se mandati i ri do të sjellë zhvillim dhe marrëdhënie më të forta mes dy shteteve.

Rama ka theksuar se rizgjedhja e Kurtit dhe e partisë së tij përbën një mandat të qartë nga qytetarët e Kosovës, i cili, sipas tij, duhet të shndërrohet në sukses dhe mbarësi për vendin, si dhe në forcim të lidhjeve vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin dhe për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën dhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona”, ka shkruar Rama në rrjetin social X.

Urime për fitoren i ka përcjellë Kurtit edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ai ka vlerësuar pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve të Kosovës dhe ka shprehur besimin se rezultati i zgjedhjeve do të përkthehet në qeverisje të përgjegjshme dhe perspektivë evropiane për vendin.

“Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin. Uroj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale dhe t’i japë Kosovës një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane”, ka shkruar Begaj në Facebook.