Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative për poetin Rushit Ramabaja

Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative për poetin Rushit Ramabaja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori pjesë në mbledhjen komemorative për poetin Rushit Ramabaja, që u mbajt në hapësirat e Teatrit Kombëtar, në objektin e Pallatit të Rinisë. Fillimisht, kryeministri Kurti bëri homazhe pranë arkivolit të të ndjerit.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se largimi nga jeta i Rushit Ramabajës, në moshën 77-vjeçare, na prek thellë, sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar dhe publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar.

Rushit Ramabaja i përkiste atij brezi intelektualësh që u formuan herët dhe u provuan e sprovuan gjatë dhe pjesën më të madhe të jetës së ia kushtoi gazetarisë dhe letërsisë, duke qenë për shumë vite pjesë e gazetës “Rilindja”, aty ku fjala kulturore dhe kritike kishte peshë dhe përgjegjësi, u shpreh kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se edhe pas luftës, ai vazhdoi të shërbejë me mendimin e tij në radiogazetari, duke mos u shkëputur asnjëherë nga misioni i informimit dhe reflektimit publik.