Burjani: Fitorja mbi 50% e VV-së ishte e pritshme, zgjedhjet u caktuan në datë politike - Elektorati i LDK-së veproi kundër “shtëpisë së vet”

Burjani: Fitorja mbi 50% e VV-së ishte e pritshme, zgjedhjet u caktuan në datë politike – Elektorati i LDK-së veproi kundër “shtëpisë së vet”

Analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje mbi 50 për qind nuk ka qenë aspak befasi, pasi sipas tij një rezultat i tillë ishte i pritshëm, raporton GazetaBlic.

Burjani në një intervistë për dokumentarin ‘Expose’, prodhim i GazetaBlic, theksoi se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë diaspora, ku shton se caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor ka qenë më tepër një datë politike sesa zgjedhore.

“Nuk kam qenë i befasuar aspak, të gjithë e kemi ditë që do të ndodhë një rezultat pak a shumë i ngjashëm do me thënë me 50 %, mirëpo dikur kemi pas thënë që ndoshta 45% ka qenë real për me fitu LVV por ajo shkoi mbi 50%. Arsyet janë të ndryshme, disa i atribojnë si dobi që ka fitu LVV nga diaspora, unë mendoj që koha e ndrrimit të motmoteve kur janë caktu zgjedhjet me 28 dhjetor, ka qenë jashtëzakonisht datë politike më teper me qujt sesa datë zgjedhore në kuptimin e vullnetit të lirë qytetarë, por është caktu data që me ardh një pjesë e madhe e diasporës, dhe mos të harrojmë që një pjesë e madhe e diasporës që kanë ardh mbi 300 mijë, aq gati kanë dalë kanë shku familje nga Kosova mbi 200 mijë qytetarë kanë lëviz në ndrrim të motmoteve. Dhe kjo ka ndiku që diaspora të vije të votoj masivisht për LVV dhe po ta pysësh diasporën se pse e kanë votu nuk e dinë pse, nuk kanë shumë arsye për votim por ndoshta vetëm dëshirojn që të kalumen mos me përkrah mos me mbështet apo subjeket politike të kalume nuk i dëshirojnë më”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe për lëvizjen e elektoratit të LDK-së drejt Vetëvendosjes, duke e quajtur të çuditshme sjelljen e votuesve që, sipas tij, kanë vepruar “kundër shtëpisë së vet”.

“Elektorati i LDK-së ka lëviz ka LVV, ka qenë e çuditshme kur elektorati i partisë politike LDK vepron kundër shtëpisë së vet. Kot e kanë kur e fajësojnë Abdixhikun ose kryesinë e LDK-së, këtu është në pyetje elektorati i cili po ndahet nga LDK dhe sikur po dojnë me përkrah LVV për arsye që PDK mos të rritet, ka disa motivacione të kësaj natyre që PDK dojnë me e pa duke u zvogëlu”, tha ai.

Burjani shprehet se Kuvendi mund të konstituohet shpejt. Ai shpreson që Vetëvendosje të mos përsërisë, siç thotë ai, lojërat e mëhershme që mund të shkaktojnë humbje kohe dhe probleme institucionale.

Analisti thekson se Kosova rrezikon të hyjë sërish në një periudhë institucionesh të përkohshme, për shkak të vështirësive në zgjedhjen e presidentit me kohë.
“Kjo është e mundshme të ndodhë shumë shpejtë, unë besoj që Kuvendi do të konstituohet shumë shpejt, do të zgjedhet kryetari të shpresojmë që me Listën Serpska nuk do ta luj një lojë prap Vetëvendosja mos me lënë vendin e rezervum për nënkryetarët nga kjo listë dhe mos me na bë probleme të natyrave të tjera me na humbë kohë koti dhe kurgjo mos me u bë prej asaj teme. Shpresoj që nuk ka me ndodh kjo lojë që ka ndodh edhe më herët. Na rrezikojmë që si shtet të kemi një Kuvend të përkohshëm dhe një kryeministër të përkohshëm, arsyet janë se nuk do të mund ta zgjedhin presidentin me kohë dhe kjo do të ndodhë që vendi prap ka me pas një kryeminstër në detyrë dhe ka me pas institucione të përkohshme deri në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Në fund, ai vlerëson se opozita është në gjendje shumë të rëndë politike, duke theksuar se LDK dhe PDK, si parti themeluese të shtetit, kanë pësuar një rënie të thellë.

“Çdo gjë është e mundshme në Kosovë, opozita më keq nuk shkon, edhe po të shkoj në zgjedhje nuk ka ku të shkojë më keq, por edhe me humbë krejt nuk ka gjë më të keqe sepse nuk ka se cka humbë më, është shumë e përmbysne është e lodhtë e përmbysne nga elektorati i vendit. Nuk ka më poshtërim se kur një subjket që është themelues i shtetit si LDK e PDK, dhe me ra në këtë nivel LDK është shumë e quditshme”, përfundoi ai për GazetaBlic.