IHMK: Gjendje e rënduar hidrometeorologjike si pasojë e reshjeve intensive

Gjendje e rënduar hidrometeorologjike si pasojë e reshjeve intensive

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjendja hidrometeorologjike në vend është ndikuar ndjeshëm nga reshjet intensive të shiut dhe shkrirja e borës në ditët e fundit.

Sipas të dhënave të IHMK-së, nga data 08 janar 2026 deri më 10 janar 2026, ora 00:00, mesatarisht në territorin e Republikës së Kosovës kanë rënë rreth 41.3 mm reshje për metër katror.

Sa i përket niveleve të lumenjve gjatë 24 orëve të fundit, situata paraqitet si në vijim:

Pellgu i Drinit të Bardhë: Shumica e rrjedhave po shënojnë lëkundje të niveleve, në varësi të reshjeve dhe shkrirjes së borës, sidomos në zonat malore. Megjithatë, krahasuar me ditët paraprake, shumica e lumenjve janë nën kuotat e tyre maksimale.

Pellgu i Ibrit: Shumica e lumenjve janë në ulje të lehtë, me përjashtim të rrjedhave me karakter malor, të cilat vazhdojnë të ndikohen nga reshjet e shiut dhe shkrirja e borës në viset më të larta.

Pellgu i Moravës së Binçës: Lumi Morava aktualisht ndodhet nën kuotën e tij maksimale, por si pasojë e shkrirjes së shpejtë të borës dhe reshjeve të shiut, vërehen tendenca të ngritjes së nivelit të ujit.

Pellgu i Lepencit: Janë evidentuar tendenca të rritjes së niveleve dhe prurjeve ujore, si rezultat i reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borës.

IHMK u bën thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të mbeten vigjilentë dhe të përcjellin njoftimet zyrtare, pasi situata hidrometeorologjike mund të ndryshojë në varësi të kushteve atmosferike në ditët në vijim.