S`mjafton goli i Muriqit, Mallorca mposhtet nga Rayo Vallecano

S`mjafton goli i Muriqit, Mallorca mposhtet nga Rayo Vallecano

Rayo Vallecano i ka dhënë fund serisë prej tetë ndeshjesh pa fitore në LaLiga, duke mposhtur Real Mallorca me rezultat 2-1.

Kjo fitore e ka ngjitur Rayo pesë pozita më lart në tabelë, në vendin e dhjetë.

Vendasit kanë kaluar në epërsi që në minutën e katërt, kur Jorge de Frutos ka shënuar pas asistimit të Álvaro Garcia.

Mallorca ka reaguar dhe e ka barazuar rezultatin në pjesën e parë, me golin e Vedat Muriqit, i cili ka realizuar me kokë pas një krosimi të Toni Latos. Ky ka qenë goli i njëmbëdhjetë sezonal për sulmuesin kosovar në kampionatin spanjoll.

Megjithatë, Rayo e ka rikthyer epërsinë para pushimit, kur Isi Palazon ka shënuar nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë nuk ka pasur gola të tjerë, ndonëse Rayo ka mbetur me një lojtar më pak pas përjashtimit të Oscar Valentín në minutën e tetëdhjetë.

Mallorca tani ndeshjen e radhës do ta luajë ndaj Athletic Bilbaos. Skuadra e Muriqit gjendet në pozitën e shtatëmbëdhjetë në tabelë. Renditja kryesohet nga Barcelona./rtk