Rasti i Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, i cili u plagos rëndë në rrethana ende të paqarta në fillim të nëntorit të vitit të kaluar pranë fshatit Jelakcë, vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut.
Ndërkohë që institucionet kompetente të Serbisë vazhdojnë të shmangin deklaratat zyrtare dhe dhënien e informacionit konkret, personat që ndjekin dhe hetojnë këtë ngjarje kanë marrë edhe kërcënime.
Detajet e ngjarjes së 1 nëntorit u rrëfyen nga vetë i plagosuri Vukashinoviq gjatë dëshmisë së tij para prokurorit, të cilën e kishte siguruar Nova.rs. Konkretisht, më 12 dhjetor ai dëshmoi para prokurorit të lartë publik në Prokuple, në spitalin e burgut në Beograd, duke përshkruar në detaje ngjarjen kur u qëllua me armë në shpinë pranë fshatit Jelakcë.
Sipas fjalëve të tij, atë ditë ai ishte planifikuar të takohej me Dragomir A. në territorin e Kosovës, me të cilin kishte pasur takime edhe më parë në atë zonë. Dragomir A. ishte duke i sjellë mjaltë dhe raki, transmeton Telegrafi.
Rreth orës 11:00, teksa po lëvizte në një rrugë alternative, automjeti i Vukashinoviq u përplas me një pemë që ishte vendosur tërthorazi në rrugë, por ai nuk ndaloi dhe vazhdoi udhëtimin.

“Kur dola nga rruga në një livadh, disa persona me vetura më rrethuan dhe filluan të qëllonin. Në një moment e kuptova se po qëllonin drejt meje dhe ndjeva se isha goditur. Atëherë, në një çast, fluturova jashtë përmes xhamit të përparmë”, deklaroi Vukashinoviqi gjatë dëshmisë së tij.
Ai shtoi se, pasi kishte dalë nga automjeti, iu afruan persona të panjohur, e dërguan te automjeti i Dragomir A., i cili ndodhej në livadh, dhe me atë mjet e transportuan në spitalin e Prokuples. Pas marrjes së ndihmës së parë, Vukashinoviqi u transferua në Qendrën Klinike të Nishit, ku qëndroi i shtruar deri në mesin e nëntorit, më pas u transferua në Burgun Qendror.
Vukashinoviqi pësoi lëndime të rënda trupore nga të shtënat; plumbi ende ndodhet në shtyllën kurrizore, gjë që, siç thotë ai, e mban të lidhur pas shtratit. Në Nish iu hoq një veshkë, ndërsa po ashtu pësoi edhe frakturë të kyçit të këmbës së djathtë.
Lexo më shumë Shumica parlamentare ka legjitimitet kushtetues, bllokadat bien ndesh me demokracinë
Në dëshminë e tij, ai mohoi pretendimet e kallëzimit penal të 1 nëntorit, duke pohuar se nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, pasi iu lexua urdhri për zhvillimin e hetimit.
Duke folur për jetën e tij në Kosovë, Vukashinoviqi tha se jeton atje që nga lindja dhe se për vite me radhë kishte tentuar pa sukses të punësohej, duke iu drejtuar, ndër të tjerëve, edhe përfaqësuesve të Listës Serbe. Pasi nuk mori ndihmë në vitin 2015, ai iu drejtua institucioneve të Kosovës.
Informacionin e parë për plagosjen e Vukashinoviqit e publikoi në rrjetin social X avokati i familjes, Ivan Niniq, duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me rrethanat e të shtënave. Sipas pretendimeve të paraqitura nga Niniqi, Vukashinoviqi u plagos në shpinë, ndërsa dyshohet se në incident ishin të përfshirë persona të veshur me uniforma ushtarake, pa asnjë shenjë dalluese, në xhipa pa targa regjistrimi.
Deri më sot, nuk janë bërë publike informacione zyrtare për këtë rast, dhe opinioni mbetet pa përgjigje për pyetjet se kush ka qëlluar, pse dhe me urdhër të kujt.
Ende në paraburgim, në spital – avokati i ka shkruar SUK-ut
Vukashinoviqi vazhdon të ndodhet në spitalin e burgut në Beograd, me plumbin që i ka mbetur ende në shtyllën kurrizore, ndërsa masa e paraburgimit ndaj tij mbetet ende në fuqi. Deri tani, ai është marrë në pyetje nga organet kompetente, ndërsa, sipas informacioneve jozyrtare të Nova.rs, nëna e tij e ka vizituar vetëm një herë.
Avokati i familjes Vukashinoviq ka paraqitur kallëzim pranë Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të MPB-së kundër personave NN, pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas kallëzimit, më 1 nëntor 2025, pranë fshatit Jelakcë, pa shenja policore, pa targa regjistrimi dhe pa asnjë paralajmërim, ata hapën zjarr ndaj një automjeti në lëvizje.
Lexo më shumë Vendoset gur themeli i objektit të odave të profesionistëve shëndetësorë
Në kallëzim thuhet se drejt automjetit që drejtohej nga Vukashinoviqi u shkrepën më shumë se 25 plumba, duke i shkaktuar lëndime të rënda kërcënuese për jetën, përfshirë një plagë depërtuese në shtyllën kurrizore, me plumb që ende ndodhet në trup, gjë që e mban të lidhur përjetësisht pas shtratit spitalor. Kallëzimi thekson se me këtë akt janë shkelur rëndë rregullat e shërbimit policor dhe se ekzistojnë baza dyshimi për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Lartë Publike në Krushevc, e cila ka marrë përsipër kallëzimin penal nga Prokuroria e Lartë Publike e Prokuples, deri më sot nuk e ka kontaktuar mbrojtjen lidhur me hetimet.
Shërbimet serbe të sigurisë kanë heshtur për këtë rast, derisa mediat pro-regjimit raportuan një informacion se pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), në bashkëpunim me organe të tjera shtetërore, arrestuan dy persona në zonën e Rashkës nën dyshimin për spiunazh. Sipas raportimeve, të ndaluarit dyshohet se gjatë një periudhe më të gjatë kanë mbledhur informacione konfidenciale me rëndësi për sigurinë e Republikës së Serbisë dhe i kanë përcjellë ato shërbimeve inteligjente shqiptare.
“Hetimi ka zgjatur disa muaj, ndërsa arrestimi është vazhdim i aksionit të 1 nëntorit, kur në vijën administrative u arrestua Milan Vukashinoviq”, raportuan mediat pro-regjimit, duke shtuar se Vukashinoviqi kishte tentuar të ikte, por shërbimet serbe të sigurisë kishin përdorur armë zjarri dhe ai u plagos.
Nga ana tjetër, edhe Policia e Kosovës ka reaguar disa ditë pas ngjarjes, duke pohuar se shërbimet serbe e kishin rrëmbyer Vukashinoviqin.
“Më datë 01.11.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit dyshohet se një person (M.V.) shtetas i Kosovës me përkatësi etnike serbe, është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga ana e Xhandarmërisë së Serbisë”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njëkohësisht, autoritetet në Kosovë po kryejnë ekspertizën e telefonave të Vukashinoviqit të plagosur – njëri i gjetur në automjet dhe tjetri në shtëpinë familjare.
Ndërkaq, më herët, Milan Vukashinoviqi kishte qenë në ‘llupën” e mediave pro-regjimit serb për shkak të përplasjes së tij me Listën Serbe.



Të tjera
Nxit ngopjen dhe ngadalëson metabolizmin, ky është fruti më i mirë për një bark të sheshtë
Bekë Berisha zgjedhet kryetar i KB Sigal Prishtina
SHBA-ja pezullon shqyrtimin e vizave për 75 vende, përfshirë edhe Kosovën