Muriqi mund të thyejë disa rekorde këtë edicion te Mallorca – Ekonomia Online

Muriqi midis Mallorcës dhe Fenerbahçes

Sulmuesi kosovar i Mallorcës, Vedat Muriqi, thuhet se është i interesuar për t’u rikthyer në Superligën e Turqisë, te Fenerbahçe.

Sipas raportimeve nga burime brenda klubit të Stambollit, Youssef En-Nesyri po tërheq interesim nga disa klube, përfshirë Nottingham Forest dhe Everton nga Liga Premier, si dhe Napoli nga Serie A. Për këtë arsye, Fenerbahçe po planifikon të përgatisë një sulmues për ta zëvendësuar ish-sulmuesin e Sevillas, nëse lind nevoja.

Në këtë kontekst, sipas gazetës AS, Vedat Muriqi është duke u konsideruar si opsioni kryesor për repartin ofensiv të klubit turk.

Muriqi, i cili kishte qenë pjesë e Fenerbahçes në sezonin 2019–2020, ka kontaktuar agjentin e tij, ish-lojtarin e NBA-së, Mirsad Turkcan, duke i shprehur dëshirën për t’u kthyer në Turqi.

Trajneri Domenico Tedesco raportohet se është i interesuar për shërbimet e Muriqit, ndërsa drejtuesit e Fenerbahçes pritet të zhvillojnë bisedime me Mallorcën për të negociuar një transferim të mundshëm.

Sipas mediumit turk Sozcü, Fenerbahçe do t’i bëjë një ofertë zyrtare Mallorcës për Muriqin, për të cilin thuhet se klubi verdhë e kaltër ka ndarë një shumë prej 15 milionë eurosh.

Megjithatë, pengesë për realizimin e transferimit mbetet fakti se Mallorca ka nënshkruar një kontratë të re me Muriqin në fillim të sezonit dhe nuk është e gatshme ta lëshojë sulmuesin me përvojë pa u përmbushur shifra e kërkuar.

Ndryshe, Vedat Muriqi ka kontribuar me 11 gola në 18 ndeshje me fanellën e Mallorcës këtë sezon dhe ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2029.

Fenerbahçe e kishte transferuar Muriqin nga Çaykur Rizespor për 5.6 milionë euro në vitin 2019, ndërsa një vit më vonë e shiti atë te Lazio për 21 milionë euro.