Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka njoftuar se po tërhiqet nga detyra e kreut të shtetit. Në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar qytetarëve bullgarë, ai deklaroi se po i drejtohej kombit për herë të fundit si president.
Radev shprehu mirënjohje për besimin e dhënë ndaj tij në dy zgjedhje presidenciale, por theksoi se rrethanat politike kërkojnë nevojën për një “kontratë të re shoqërore”. Në fillim të fjalimit të tij, që zgjati rreth dhjetë minuta, ai kërkoi falje nga qytetarët bullgarë, duke pranuar se gjatë mandatit të tij nëntëvjeçar kishte bërë gabime, pa i specifikuar ato.
“Dua, para së gjithash, të kërkoj falje. Koha e vuri në provë besimin tuaj. Për këtë, ju falënderoj për durimin. I pranoj gabimet e mia. Jam i vetëdijshëm për atë që nuk arrita ta realizoj. Por besimi se do ta arrijmë është një nga motivet kryesore të këtij vendimi”, u shpreh Radev, raporton Radio Bulgaria.
Ai theksoi se gjatë nëntë viteve të fundit Bullgaria ka përmbyllur procesin e integrimit evropian, falë punës së qeverive të rregullta dhe atyre teknike, duke u bërë anëtare e Zonës Shengen dhe e Eurozonës – objektiva të vendosura nga shoqëria bullgare që në fund të viteve ’90.
Radev ngriti pyetjen pse arritja e këtyre synimeve nuk solli stabilitet dhe kënaqësi për qytetarët, pse bullgarët ndaluan së votuari, pse nuk i besojnë mediave dhe pse nuk mbështeten te sistemi i drejtësisë. Ai kujtoi se qytetarët dolën dy herë në protesta kundër një modeli të qeverisjes që, sipas tij, funksiononte si oligarki jashtë institucioneve.
Sipas Radevit, politikanët kanë rrezikuar jetën paqësore të bullgarëve në një kohë kur lufta po zhvillohet pranë vendit, ndërsa koalicioni qeverisës ka fshirë kufirin mes aktorëve të korruptuar dhe atyre që luftojnë korrupsionin. Ai tha se qeveria teknike nuk është më garantuese e zgjedhjeve të ndershme dhe se shkëputja përfundimtare me qytetarët ndodhi kur deputetët refuzuan mbajtjen e një referendumi për futjen e euros.
Një kontratë e re shoqërore është e domosdoshme, tha Radev, duke shtuar se dy të tretat e bullgarëve nuk dëshirojnë më të votojnë. Ai u zotua se do të mbrojë institucionet demokratike dhe të rinjtë bullgarë që gjatë protestave në vjeshtën e vitit 2025 deklaruan se nuk duan më të largohen nga vendi.
“Uniteti në shesh tregon rrugën përpara”, tha Radev, duke njoftuar se më 20 janar do ta dorëzojë zyrtarisht dorëheqjen si president në Gjykatën Kushtetuese. Ai sinjalizoi gjithashtu synimin për t’u përfshirë në politikë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që priten në pranverë.
Në fund, Radev deklaroi se nënkryetarja Iliana Iotova do të jetë një presidente e denjë, duke shtuar: “Na pret një betejë për të ardhmen e Atdheut dhe besoj se do ta zhvillojmë atë së bashku me të gjithë ju – të denjët, të frymëzuarit dhe të pakompromisit. Ne jemi gati, ne mundemi dhe do t’ia dalim”./rtk



Të tjera
Moti ditën e martë me mjegull e ngrica, temperatura arrin -9°C
Bakteria që shkakton probleme në stomak
Dy njësi të KEK-ut pritet të kthehen në operim, thirrje për kursim të energjisë