Dallaveret me numërim, kaq vjet burg mund të dënohet një anëtar i Komisionit Zgjedhor!

Procesi i rinumërimit të votave, Prokuroria: Fajtorët do të ndëshkohen

Nga procesi i rinumërimit që filloi më 13 janar, Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha. Parregullsitë e shumta dhe vjedhje votash të identifikuara, janë arsyet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’ua ndërpresë mandatin komisionarëve të kësaj komune.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’i shkarkojë nga funksioni përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.

Nga procesi i rinumërimit që nisi më 13 janar, Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha. Rinumërimi deri sot solli lëvizje drastike në listat e kandidatëve, veçanërisht brenda Partisë Demokratike, ku disa kandidatë kanë humbur qindra, madje edhe mijëra vota.

Në krye të listës së humbjeve qëndron kandidati për deputet Fetah Paçarizi, të cilit pas rinumërimit i janë zbritur 6,022 vota. Pas tij radhitet Nait Hasani me 3,419 vota më pak, Kujtim Gashi me 2,359 dhe Luljeta Veselaj Gutaj me 2,103 vota të hequra.

Kandidatëve për deputetë të Vetëvendosje, Arbër Rexhaj i kanë dalë mbi 530 vota më pak, Rea Krasniqit rreth 420 vota, ndërsa Valon Ramadanit mbi 400.

Ndërkohë, rinumërimi ia ka kthyer Hajrulla Çekut mbi 100 vota, Alban Bajramit rreth 90 dhe Driton Hysenit rreth 80.

Në listën e LDK-së, Xhavit Ukës iu larguan mbi 1 mijë e 200 vota, Driton Selmanajt mbi 850, ndërsa Anton Qunit rreth 460.

Tek AAK-ja, Besnik Krasniqit iu larguan mbi 220 vota, Tringa Morinës rreth 160 dhe Edmond Hoxhës mbi 120.

Partitë politike kanë kërkuar hetim nga ana e autoriteteve të drejtësisë duke vlerësuar se dallimet drastike në vota, nuk mund të arsyetohen me gabime teknike.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, nga dje ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë, që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

Sipas Prokurorisë, manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis./rtk