Si ta dalloni gotën për verë nga gota për ujë?
Ku t’i vendosni pirunin dhe thikën pas ushqimit? Kjo është diçka që mësohet,
sepse askush nuk ka lindur i dijshëm.
Mënyra e ngrënies në tavolinë duhet t’i
përshtatet ‘profilit’ të darkës. Është koha që t’i mësoni bazat e servimit të
një darke, sepse tash më shumë se kurrë miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët,
kërkojnë stil dhe sjellje, transmeton Telegrafi.
Pas 10 viteve dysheku juaj përmban rreth 10.4
kg lëkurë të vdekur & miliona baktere.
Nuk janë vetëm mënyrat e ngrënies të
rëndësishme: duhet që po ashtu të dini të krijoni një atmosferë të mirë në të
cilën miqtë dhe dashamirët tuaj do të ndihen të relaksuar dhe do të kënaqen,
ndërsa ju nuk do të shqetësoheni për përshtypjen që keni lënë.
Me qëllim që të krijoni një përvojë, është
mirë që ne fillim të darkoni me njerëzit që i njihni mirë, me një mik/mikeshë
ose koleg pune.
Si ta rregulloni tavolinën
⦁ Pecetën nuk guxoni
ta vendosni në gotë ose në pjatë: vendi i saj është në anën e majtë të pjatës
⦁ Piruni për sallatë
është gjithmonë më e larguar nga pjata, i vendosur në anën e majtë. Edhe pse e
ka mbajtësen më të gjerë, gjithmonë është më i vogël se piruni për ushqimin
kryesor
⦁ Piruni për ushqim
është më i madh dhe më afër pjatës nga ana e majtë
⦁ Luga për supë është
me larguar nga pjata, në anën e djathtë
⦁ Thika për ushqimin
kryesor, e cila mund të përdoret edhe për sallatë edhe për peshk, është më afër
pjatës, në anën e djathtë.
⦁ Rregulla e
përgjithshme është që për ushqimin që servohet i pari të shfrytëzohen pajisjet
të cilat janë të vendosura anash. Për të gjitha ushqimet e radhës merrni
pajisjet që vijnë me radhë
⦁ Pjata për bukë dhe
gjalpë është e vogël dhe afër saj gjendet thika për gjalpë, që është e vendosur
mbi pjatë
⦁ Pajisjet për desert
vendosen në momentin kur shërbehet deserti, ose janë të vendosura mbi pjatën
për ushqimin kryesor. Nëse janë të vendosura edhe luga edhe piruni, mund ta përdorni
njërën ose të dyja
⦁ Nëse janë vendosur
më shumë pjata njëra mbi tjetrën, duhet ta dini se pjata e sipërme e vogël
është për sallatë, ndërsa më e madhja për ushqimin kryesor
⦁ Nëse në meny ka
ushqim me djathë do të merrni edhe pjatë të veçantë, si edhe pajisje përkatëse
⦁ Ibriku për ujë
është më afër pjatës, ndërsa është i vendosur në anën e majtë
⦁ Gota për verë të
zezë është në mes
⦁ Gota për verë të
bardhë është më e largëta nga pjata , gjendet e fundit e renditur në anën e
djathtë.
Peceta
Porsa të uleni në tavolinë, vendosni një
pecetë në prehër. Pa marrë parasysh a është e letrës apo e pëlhurës, do t’u
ndihmojë që t’i tejkaloni ‘pengesat’ e vogla, të cilat mund t’ju ndodhin gjatë
mbrëmjes- nëse ushqimi u bie në prehër. Në pecetë mund të bien pjesët e
ushqimit, ndërsa do t’u shërbejë edhe për fshirjen e buzëve dhe duarve.
A duhet kthyer peceta e përdorur në tavolinë?
Kur ta përfundoni darkën, vendoseni pecetën në anën e majtë të pjatës. Nëse
gjatë darkës çoheni nga tavolina, vendoseni në karrige, që miqtë tuaj të mos
jenë të detyruar ta shohin pecetën e njollosur me pjesë të ushqimit.
Vendosja në tavolinë
Asnjëherë nuk do ta merrni ujin ose bukën e
tjetrit, nëse mbani mend këtë rregull: ushqimet e forta vendosen në anën e
majtë, ndërsa të lëngshmet në anën e djathtë. Filxhani i juaj për kafe, ibriku
i mbushur me ujë ose gota me verë gjenden në anën e djathtë të pjatës, ndërsa
buka në anën e majtë të saj.
Si pihet vera
A i keni vërejtur degustatorët e ndryshëm të
verës se si e mbajnë gotën e tyre? Nuk është me rëndësi pozita- por mënyra se
si ata e mbajnë gotën e verës ofron mundësinë e ruajtjes së shijes dhe
temperaturës. Gotën mbajeni për këmbëze me qëllim që të mos ngrohet pija,
ndërsa mbusheni vetëm pakëz mbi gjysmën e gotës.
Çka të dini për bukën dhe gjalpin
Bukën nuk guxoni ta kafshoni të plotë, dhe po
ashtu nuk guxoni ta merrni me thikë gjalpin, i cili gjendet në enë të
përbashkët. Në vend të kësaj, vendosni një pjesë gjalpi në pjatë, pastaj
ndajeni një copë bukë aq të madhe sa mund ta kafshoni. Bukën mbajeni përmbi
pjatë dhe lyejeni me gjalpë me anë të thikës speciale për gjalpë, ose me thikë
të zakonshme.
Ngjashëm veproni edhe me vajin e ullirit, i
cili kohëve të fundit është gjithnjë e më i pranishëm gjatë vakteve të
ndryshme. Qitni një sasi të vajit të ullirit në pjatë dhe merreni nga aty.
Si t’i përdorni pajisjet për ushqim
Mbajtja e pirunit dhe thikës me shuplakë të
plotë është e gabueshme, po aq sa fshirja e gojës me mbulesën e tavolinës. Anën
e mprehtë të thikës kthejeni nga poshtë, thikën mbajeni me dorën dominuese
(nëse jeni djathtak- me të djathtën), ndërsa ushqimin të cilin e preni mbajeni
me pirun. Nyjat e duarve duhet të jenë të ngritura, ndërsa të dy gishtat
tregues të shtrirë përgjatë pirunit dhe thikës. Vetëm në këtë mënyre nuk do të
dukeni se po mbani lopatë.
Secilën herë priteni një pjesë ushqimi aq sa
ua zë goja. Nëse pritni diçka e cila vështirë pritet, mund t’i ndërroni duart:
pirunin kalojeni në dorën dominuese, ndërsa thikën në dorën tjetër. Ndihma me
anë të gishtave gjatë prerjes së ushqimit nuk lejohet në asnjë rast.
Supa
Për fillim, të gjitha gotat largoni nga vetja,
që të mos derdhni diçka mbi mbulesën e tavolinës, ose më keq, mbi teshat tuaja.
Asnjëherë mos e vendosni të gjithë lugën në gojë! Majën e lugës vendoseni në
gojë dhe pastaj tërhiqeni përmbajtjen e lugës me qetësi!
Kur të keni përfunduar, lugën vendoseni në
pjatën për servim, e cila gjendet nën pjatën në të cilën gjendje supa. Në rast
se nuk ekziston kjo pjatë, atëherë lugën vendoseni mbi pjatën që keni pirë
supën.
Ushqimet të cilat mund të hahen me duar
Ekzistojnë ushqime të cilat nuk janë ‘të
këndshme’ për t’u prerë me thikë ose për t’u mbajtur me pirun. Pula e pjekur, brinjët,
drithërat, shpargu etj., mund t’i hani me duar, transmeton Telegrafi.
Dhënia e pjatës
Dëshironi më shumë sallatë? Ndoshta salcë?
Nëse ushqimi i dëshiruar nuk gjendet pranë jush, kërkoni nga personi pranë jush
që t’ua japë. Jo vetëm që nuk është e hijshme t’ia çoni dorën dikujt para
fytyrës, por ekziston rreziku që mund t’ju bie pjata ose të derdhet përmbi
ushqimin e tjetrit.
Kur t’ua japin ushqimin, vendoseni në tavolinë
afër jush mos e ktheni pa e kërkuar dikush. E njëjta gjë vlen edhe për kripën
dhe biberin, të cilët zakonisht shkojnë në çift (edhe nëse dikush ua kërkon
vetëm njërin, ju duhet t’i jepni bashkë).
Pjesët që nuk përtypen
Pjesët e ushqimit të cilat nuk hahen, nxirrni
nga goja në mënyrë të ngjashme si kanë arritur deri atje: nëse keni ngrënë
ullirin me gishta, edhe farën nxirreni me gishta. Ndërsa nëse ullirin e keni
marrë me lugë, atëherë edhe farën nxirreni në lugë. Te peshku ekziston
përjashtim, eshtrat e peshkut largoni nga goja me gishta, mos i nxirrni në
lugë. Nëse keni në gojë ushqim, i cili nuk ju pëlqen, ose jeni alergjik në të,
atëherë nxirreni atë shpejt në pecetë dhe mbështilleni.
Ushqimin që nuk e hani
Nëse jeni vegjetarian ose nuk iu pëlqen ndonjë
lloj ushqimi, i cili servohet, sjellje e mirë do të ishte, nëse provoni një
pjesë ose dy, dhe pastaj mund ta refuzoni ushqimin duke dhënë një arsye të
mirë. Nëse dikush thotë me zë se pse nuk e hani ushqimin, atëherë thoni se keni
ngrënë më herët dhe dëshironi të leni vend për desert. Ose mund të thoni se
keni përvojë të keqe me atë lloj ushqimi dhe gjithmonë mundoheni ta shmangni të
njëjtin.
Kur të përfundojë darka
Kur të përfundoni me ushqimin, lugën, pirunin
dhe thikën vendosni në mënyrë diagonale mbi pjatë. Ky është një sinjal i
fshehtë, i cili i tregon zonjës së shtëpisë ose kamerierit se mund ta largojnë
pjatën tuaj. Nëse gjatë ngrënies, largoheni nga tavolina, atëherë pirunin dhe
thikën leni të kryqëzuar në mes të pjatës. Në asnjë mënyrë, pajisjet për ushqim
nuk guxojnë të vendosen mbi tavolinë.



Të tjera
Moti ditën e martë me mjegull e ngrica, temperatura arrin -9°C
Bakteria që shkakton probleme në stomak
Dy njësi të KEK-ut pritet të kthehen në operim, thirrje për kursim të energjisë