“Pa fletërreshtim, pa drejtësi: Si dështoi seanca kundër Cvetko Kostiqit?”

Për shkaqe procedurale ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar kundër Cvetko Kostiq, i cili akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës.

KosovaPress mëson se kjo ndodhi për shkak se nuk është lëshuar fletërrreshtimi ndërkombëtar për arrestimin e të akuzuarit.

Vendimi u mor në gjykatoren me dyer të mbyllura, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore.

Seanca e radhës do të mbahet pas konfirmimit të Ministrisë së Drejtësisë se e ka publikuar fletërreshtimin ndërkombëtar për të pandehurin.

Rasti i dhunimit ka ndodhur në komunën e Vushtrrisë, ndërsa Kostiq atëbotë ka qenë pjesëtar i forcave policore të Serbisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai në bashkëkryerje me persona tjerë të uniformuar dhe të armatosur ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

Deri më tani janë ngritur 12 aktakuza për dhunim seksual gjatë luftës, në mesin e tyre shtatë janë në mungesë.

Për herë të parë për këtë krim lufte është dënuar Zoran Vukotiq me 13 vjet burgim në tri shkallët, në rastin tjetër Vukotiq është liruar për dhunim seksual, dhe rasti Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënuar me 15 vjet burgim dhe është në vuajtje të dënimit.

Vitin e kaluar kanë filluar edhe dy procese tjera për këtë krim lufte.