Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve (CPS-S) në Zvicër, ka shprehur mbështetjen për zgjatjen e angazhimit të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë deri në vitin 2029, si dhe për rritjen e numrit të tyre.
Sipas një njoftimi të shërbimeve parlamentare, komisioni vlerëson se “prania e KFOR-it dhe e kontingjentit zviceran Swisscoy në Kosovë mbetet e domosdoshme, pasi situata në terren, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë”.
CPS-S, që është Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës, thekson se prania e KFOR-it është “ende e nevojshme edhe për të kontribuar në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është edhe në interes të Zvicrës, ku jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, prej të cilëve mbi 150 mijë janë me origjinë kosovare”, u tha në njoftimin e shërbimeve parlamentare të Zvicrës, raporton CDT.
Në këtë kuadër u tha se “CPS-S mbështet edhe rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215”.
Po ashtu, sipas njoftimit, propozohet që Këshilli Federal të ketë kompetencë që, gjatë mandatit, ta rrisë kontingjentin me deri në 30 ushtarë shtesë, pa afat të caktuar, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të ardhshme të KFOR-it.
Parashikohet edhe mundësia e angazhimit të përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për mirëmbajtje, si për shembull të helikopterëve zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për sigurinë e vetë kontingjentit.



Të tjera
Ushqimet e skuqura përmbajnë kimikate kancerogjene
“Zgjedhje në krizë: Si po rrezikohet besimi i qytetarëve nga manipulimet e votës”
“Pse autizmi nuk është sëmundje dhe çfarë ndërhyrjeje kërkon realisht?”