Ish-kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti para gjyqit nën akuzën për mosraportim të pasurisë

Ish-kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti para gjyqit nën akuzën për mosraportim të pasurisë

Shpend Ahmeti, ish-kryetar i Prishtinë, ka dalë sot më 21.01.2026 para Gjykatës në seancën e shqyrtimit fillestar për t`u ballafaquar me aktakuzën e prokurorisë lidhur me mosraportim të pasurisë.

Sipas aktakuzës i pandehuri Shpend Ahmeti nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54,400.00 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Dren Paca, i akuzuari Shpend Ahmeti u deklarua rreth fajësisë.

Ahmeti tha se nuk ndihet fajtor për veprën e cila i vihet në barrë.

Tutje, pas deklarimit të tij, gjyqtari Leon Përlaska njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtjen e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23.12.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Shpend Ahmeti në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në Prishtinë, në cilësinë e Kryetarit të Komunes së Prishtines edhe pse i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë vjetore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë duke mos deklaruar te ardhurat reale.

“Si person zyrtar, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, me rastin e paraqitjes se deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale, respektivisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme (cash) të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtëpërdrejt ashtu edhe përmes bankomatëve (ATM), në llogaritë e tij personale pranë Bankës Ekonomike dhe Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), në vlerë të përgjithshme prej 118,200.00 euro.”- thuhet në aktakuzë.

Sipas PSRK-së i pandehuri Ahmeti në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raspotimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Ahmeti ishte për dy mandate kryetar i Prishtinës, i njëjti kishte fituar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e parë në vitin 2013-të dhe përfundoi mandatin e dytë në vitin 2021.