“Rugovizmi i munguar dhe boshllëku moral i udhëheqjes: Analizë e gjendjes politike”

Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Ibrahim Rugova, profesori Kolë Krasniqi ka vlerësuar figurën e tij si unike në udhëheqjen politike të Kosovës, duke theksuar rezistencën paqësore, vizionin shtetformues dhe ndërtimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai u shpreh se Rugova e solli politikën në një dimension të lartë etik dhe se sfida sot nuk qëndron vetëm te pasardhësit e tij politikë, por te dështimi për ta institucionalizuar rugovizmin si filozofi dhe standard të qeverisjes demokratike.

“Ibrahim Rugova padyshim përfaqëson një rast të veçantë dhe unik të udhëheqjes politike në Kosovë. Jeta dhe vepra e tij identifikohen ngushtë me rezistencën paqësore, vizionin shtetformues dhe ndërtimin gradual të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Si intelektual, shkrimtar dhe mendimtar humanist, Presidenti Rugova e solli politikën kosovare në një dimension të rrallë etik, duke e konceptuar atë si shërbim publik dhe si instrument unifikimi të spektrit politik shqiptar, e jo si mjet përçarjeje, rivaliteti apo dominimi.

Ai ishte arkitekti i rezistencës aktive, institucionale dhe paqësore gjatë viteve ’90, duke ndërtuar dhe mbajtur gjallë struktura paralele arsimore, kulturore dhe politike në kushte represioni të egër nga regjimi i Millosheviqit. Këto struktura nuk përbënin vetëm mekanizma mbijetese, por instrumente thelbësore për ruajtjen e kohezionit shoqëror dhe të identitetit politik shqiptar në Kosovë.

Sot, në diskursin publik parashtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja nëse ka pasur një “dështim” të pasardhësve politikë të Rugovës. Kjo pyetje nuk duhet trajtuar në mënyrë emocionale apo polemike, por në mënyrë analitike dhe strukturore. Në thelb, problemi nuk qëndron vetëm te individët, por te pamundësia e shoqërisë kosovare për ta institucionalizuar rugovizmin si filozofi politike dhe si standard të qeverisjes demokratike”, thotë ai.

Profesori, vlerëson se pas vdekjes së Rugovës, rugovizmi nuk u institucionalizua si filozofi dhe kod etik politik, duke mbetur kryesisht simbolikë dhe retorikë pa ndikim të qëndrueshëm në kulturën dhe institucionet shtetërore.

Pas vdekjes së Presidentit Rugova, sfida kryesore nuk ishte mungesa e pasardhësve formalë, por mungesa e aftësisë për ta shndërruar filozofinë e tij politike në kulturë funksionale dhe normë shtetërore. Pasardhësit e tij politikë shpesh e reduktuan rugovizmin në simbolikë ceremoniale dhe retorikë përkujtimore, pa e zhvilluar atë në nivelin e etikës konkrete politike dhe të kulturës institucionale. Si pasojë, ata nuk arritën ta ruajnë balancën ndërmjet udhëheqjes politike dhe vendimmarrjes strategjike. Në vend të një vazhdimësie konceptuale të rugovizmit, u përfshinë në rivalitete të brendshme, të cilat gradualisht konsumuan kapitalin moral të ndërtuar me mund dhe sakrifica gjatë dekadave te fundit.

Këto zhvillime dëshmojnë se dështimi i rugovizmit nuk ishte individual, por strukturor. Mungoi aftësia për ta shndërruar një projekt historik me vlerë të jashtëzakonshme në një doktrinë funksionale të shtetit dhe të politikës kosovare. Rugovizmi, në vend që të institucionalizohej si kod etik i politikës dhe i institucioneve shtetërore, mbeti kryesisht një referencë retorike, pa mekanizma të qartë të riprodhimit politik dhe kulturor”, nënvizon ai.

“Në kontekstin aktual, mungesa e një figure të përmasave të Presidentit Rugova nuk ndihet vetëm si mungesë e një lideri karizmatik, por si mungesë e një busulle morale, politike dhe strategjike-diplomatike. Polarizimi politik, populizmi dhe dominimi i diskursit konfliktual kanë dobësuar ndjeshëm aftësinë e politikës kosovare për të prodhuar konsensus minimal shtetëror.

Në këtë realitet, vlerat që mishëronte Presidenti Rugova – autoriteti politik përtej ndarjeve partiake, gjuha unifikuese, strategjia shtetërore afatgjatë dhe kultura politike evropiane, e mishëruar në orientimin e qëndrueshëm pro-amerikan dhe pro-evropian – shfaqen sot jo vetëm si nevojë urgjente, por edhe si kërkesë imperative për rrugëtimin e Kosovës, e jo thjesht vetëm si kujtime nostalgjike për vizionin dhe urtësinë e Rugovës.

Rugovizmi si filozofi politike duhet kuptuar si një projekt i papërfunduar, jo për shkak të vdekjes së ideologut të tij dhe as për shkak të dështimit të pasardhësve te tij politikë, por për shkak të mungesës së një vazhdimësie të vetëdijshme të filozofisë rugoviane nga udhëheqësit shtetëror të Kosovës. Trashëgimia e Rugovës kërkon më shumë se një përkujtim në përvjetorin e tij te vdekjës, ajo kërkon rikthimin e guximshëm, kritik dhe racional te vlerave dhe fillozofisë rugoviane që e bënë të mundur themelimin dhe njohjen ndërkombëtare te shtetit të Kosovës.

Edhe sot, pas dy dekadash, sfida kryesore nuk është vetëm se si ta kujtojmë dhe ta nderojmë Rugovën si figurë historike, por se si ta rimendojmë rilindjen e rugovizmit në kushte bashkëkohore – si nevojë aktuale politike në shoqërinë kosovare, e cila ende kërkon ekuilibrin ndërmjet pushtetit, etikës dhe vizionit shtetëror” – përmbyll ai për gazetën.