15 vite pas zhdukjes misterioze që tronditi opinionin publik shqiptar, një dëshmi e re dhe tepër e rëndë ka rikthyer në vëmendje çështjen e Bleona Matës.
Vajza, e cila u zhduk në moshën 6-vjeçare nga fshati Zapot i Kukësit teksa kulloste bagëtinë, dyshohet se është gjallë dhe aktualisht ndodhet në një shtet të Bashkimit Evropian.
Zbulimi i bujshëm u bë publik nga gazetarja Nexhmije Beqiri në Report TV, e cila publikoi rrëfimin e një shtetasi që pretendon se njeh të vërtetën pas zhdukjes së Bleonës.
Sipas kësaj dëshmie, rrëmbimi nuk ka qenë i rastësishëm, por është kryer nga një person brenda komunitetit të fshatit.
Burimi pohon se Bleona është rrëmbyer nga një fshatar nga Zapoti dhe më pas është dërguar në fshatin Llakatun të Vlorës, tek vajza e rrëmbyesit, e cila nuk mund të bënte fëmijë.
Pas rreth tre muajsh, familja në fjalë thuhet se është larguar drejt Greqisë së bashku me Bleonën, ndërsa vitet e fundit dyshohet se janë vendosur në Gjermani.
Këto informacione, ende të pakonfirmuara zyrtarisht nga autoritetet, hapin një pistë të re hetimore dhe rikthejnë shpresën për zbardhjen e një prej rasteve më të dhimbshme të zhdukjeve në Shqipëri. Familja e Bleona Matës, e cila prej vitesh kërkon drejtësi dhe të vërtetën, shpreson që dëshmia e re të çojë në veprime konkrete nga institucionet ligjzbatuese, për të verifikuar pretendimet dhe për të mësuar më në fund fatin e vajzës.



Të tjera
Parashikimi i motit për të enjten
Perimet që largojnë fryrjen e stomakut
Hoxhaj: Pa reagim perëndimor, hegjemonia serbe rrezikon paqen në Ballkan