Profile të reja në Instagram, pa ndjekës dhe me pak postime.
Kështu dukeshin gati të gjitha profilet në këtë rrjet social, që ndoqën në mënyrë të koordinuar, brenda një periudhe të shkurtër, mediat kritike dhe organizatat joqeveritare në Serbi.
Pas kësaj, llogaritë e këtyre të fundit në këtë platformë u pezulluan përkohësisht.
Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregon se bëhet fjalë për ndjekës të rremë. Shoqatat e gazetarëve dhe organizatat civile dyshojnë se ky është një veprim i qëllimshëm, për të kufizuar shtrirjen e mediave që nuk kontrollohen nga autoritetet.
Më 18 janar, llogaritë në Instagram të më shumë se njëzet mediave, organizatave dhe individëve në Serbi u pezulluan ose u mbyllën, pas një rritjeje të papritur të ndjekësve brenda një periudhe të shkurtër.
Kompania Meta, pronare e Instagram-it dhe Facebook-ut, e interpreton këtë si aktivitet të dyshimtë – gjë që çon në pezullimin ose mbylljen përfundimtare të llogarive.
“Ky është një rast i paprecedentë, sepse, në të njëjtën kohë, u prekën shumë llogari të aktorëve të ndryshëm – nga mediat dhe fotoreporterët deri tek organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bojan Perkov nga Fondacioni Share në Serbi, që merret me sigurinë digjitale.
Sipas tij, është problematike që Meta e moderon përmbajtjen në mënyrë mekanike dhe shpesh reagon ndaj llogarive që nuk i shkelin rregullat – gjë që ndodhi edhe në këtë rast.
Shumica e profileve që u mbyllën ose u pezulluan më 18 janar, u riaktivizuan një ditë më vonë.
Radio Evropa e Lirë pyeti Prokurorinë për Krime të Teknologjisë së Lartë në Serbi nëse po heton mbylljen e llogarive të mediave dhe organizatave civile në rrjetet sociale, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Nga kompania Meta konfirmuan për REL-in se ekipet e saj i kanë rikthyer llogaritë që u pezulluan gabimisht. Po ashtu, thanë se po punojnë për të identifikuar masa që do të parandalojnë gjëra të ngjashme në të ardhmen.
Sulme me profile “bot” që zgjatën muaj me radhë
Pak para se të mbylleshin llogaritë në Instagram në mënyrë të sinkronizuar, disa media paralajmëruan publikisht për sulmet me profile “bot”, që krijohen nga kompjuterë për të bërë aktivitete të ndryshme në rrjetet sociale, si p.sh. shpërndarje automatike të postimeve apo rritje artificiale të ndjekësve.
Mes tyre ishte portali “Nova S”, i cili më 10 janar raportoi për një rritje të pazakontë të ndjekësve në llogarinë e tij në Instagram.
Sipas të dhënave të platformës për analizën e profileve publike në rrjetet sociale, Social Blade, vetëm brenda një dite, profili i këtij portali u ndoq nga mbi 40 mijë përdorues të rinj – pa ndonjë postim viral ose aktivitet të shtuar.
E, vetëm një ditë më vonë, llogaria humbi 25 mijë ndjekës nga Instagram-i.
E përjavshmja serbe “Radar” njoftoi më 13 janar se në llogarinë e saj, për më pak se dy orë, numri i ndjekësve u rrit për rreth 8 për qind. Në të njëjtën kohë, rritje të menjëhershme të ndjekësve panë edhe llogaritë e televizioneve “Nova S” dhe “N1”, si dhe portali rinor “Zoomer”.
Ky portal identifikoi disa llogari që njëkohësisht ndoqën edhe disa profile mediatike në Serbi.
Sipas analizës së REL-it, këto profile tregojnë një strukturë të qartë të llogarive të rreme (bot): nuk kanë asnjë ndjekës, janë hapur së fundmi dhe të gjitha postimet janë bërë në ditën e parë – më vonë nuk ka pasur asnjë aktivitet tjetër.
Edhe profilet e organizatave studentore regjistruan një numër të madh ndjekësish të rinj, sidomos ato që në fund të vitit 2024 nisën bllokadat në fakultete, e më pas edhe protestat masive kundër Qeverisë në Serbi.
Në disa muaj të fundit, profili në Instagram “Studentët në Bllokadë” pothuajse e ka trefishuar numrin e ndjekësve – nga gati 400 mijë në një milion.
Në nëntor të vitit 2025, disa profile studentore u mbyllën përkohësisht për këtë arsye.
Studentët, që nga fillimi i protestave, përdorin rrjetet sociale si kanale kryesore të komunikimit.
“Rregulla jotransparente”
Edhe pse shumica e profileve mediatike në Instagram dëshmuan një rritje të menjëhershme të ndjekësve, ky nuk ishte rasti me të gjitha llogaritë që u mbyllën ose u pezulluan.
Të dhënat nga platforma e analizave, Social Blade, tregojnë se profili i organizatës CRTA nuk kishte aktivitete të pazakonta apo rritje të ndjekësve.
Jovana Gjurbabiq nga kjo organizatë joqeveritare, që monitoron zgjedhjet dhe studion demokracinë dhe sundimin e ligjit, konfirmon për REL-in:
“Asnjë rritje e menjëhershme e ndjekësve nuk ndodhi te ne. Nuk morëm ndonjë njoftim as për shkelje të rregullave të komunitetit. Mëngjesin e 18 janarit, kolegia që merret me rrjetet sociale, provoi të hyjë në profil dhe ai nuk ekzistonte më”.
Sipas saj, profili u mbyll pa asnjë shpjegim më 18 janar dhe u rikthye një ditë më vonë – përsëri pa ndonjë arsyetim nga kompania Meta.
“Është mjaft e çuditshme dhe simptomatike me atë që ndodhi me llogari të ndryshme në të njëjtin ditë. Edhe nëse profili ynë u mbyll automatikisht, duhet të ketë pasur një hap fillestar për Meta-n që të vendoste bllokimin”, thotë Gjurbabiq.
Sipas saj, CRTA i shkroi Shërbimit të Mbështetjes së Meta-s, por deri tani nuk mori ndonjë përgjigje.
Perkov, nga Fondacioni Share, vlerëson se Meta aplikon rregulla jotransparente – gjë që shpesh bën që të mos dihet se si është marrë një vendim për një përmbajtje dhe cilat mund të jenë pasojat e tij.
“Kjo është veçanërisht problematike për llogaritë nga Serbia – që nuk është anëtare e BE-së – ku nuk zbatohen rregullat e Aktit për Shërbimet Digjitale, sipas të cilave platformat online duhet të ofrojnë transparencë dhe procedura ankese për vendimet e moderimit”, thotë Perkov.
Reagimet e organizatave të gazetarëve
Disa organizata mediatike e dënuan mbylljen e profileve të “Radar”-it, portalit “Nova” dhe mediave të tjera, duke kërkuar nga autoritetet që të zbulojnë menjëherë se kush qëndron pas këtyre “sulmeve me botë”.
Asociacioni për Mediat Elektronike (ANEM) e përshkroi këtë si “një aksion të koordinuar, me qëllim bllokimin e profileve të mediave të pavarura dhe profesionale”.
Sipas këtij asociacioni, shqetësim i veçantë është mënyra se si veproi Meta, pasi të gjitha profilet kishin status që tregonte se nuk i shkelin rregullat e platformës.
“Redaksitë dhe administratorët nuk morën paralajmërim paraprak për mbylljen e profileve, edhe pse, sipas rregullave të platformës, kjo duhet të jetë praktikë standarde – duke shpjeguar rregullat që supozohet se janë shkelur dhe duke dhënë afat për korrigjim”, u tha nga ANEM-i.
Shoqëria e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës tha se këto ngjarje nuk janë incidente të izoluara teknologjike, por përpjekje të koordinuara të “sabotimit digjital”, që ka në shënjestër mediat e pavarura, që raportojnë në mënyrë kritike për çështjet publike dhe ngjarjet e interesit të përgjithshëm.
REL-i kërkoi koment edhe nga Komisioni Evropian, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Në vitin 2025, Serbia kishte numrin më të madh të sulmeve ndaj gazetarëve në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Platformës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve.
Të dhënat tregojnë se, vitin e kaluar, u regjistruan 59 raste kërcënimesh ndaj sigurisë së gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, prej të cilave 33 ishin nga Serbia.
Në raportin e organizatës ndërkombëtare, Freedom House, nga shkurti i vitit 2025, Serbia u rendit ndër vendet me rënien më të madhe të lirisë së mediave gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
Një nga arsyet e përmendura ishte shtimi i kontrollit mbi mediat dhe sulmet ndaj gazetarëve, ndonëse autoritetet e mohojnë trysninë./REL



Të tjera
Lirohen 80 të burgosur politikë të tjerë në Venezuelë, numri shkon në 626
Moti për pesë ditë, nesër shi – IHMK bën thirrje të shmangen udhëtimet e panevojshme gjatë reshjeve intensive
Lama: Italia ka pasur dhe vazhdon të ketë vëmendje të shtuar në Ballkanin Perëndimor